Skandali i kullës 24-katëshe te Komuna e Parisit: Nis prerja me oksigjen e kolektorit magjistral në fshehtësi

Skandali i kullës 24-katëshe te Komuna e…

Pak javë më parë, JOQ Albania ngriti alarmin për një nga skandalet më absurde urbanistike në kryeqytet, për dhënien e lejes për ndërtimin e një kulle 24-katëshe plus gjashtë kate parkim nëntokësor në Rrugën e Kosovarëve te Komuna e Parisit, në një zonë të mbushur me shtëpi private.

Leja, e cila mban firmat e kryetarit të KKT-së Edi Rama, Belinda Ballukut dhe Ada Rokës, rezultoi se ishte dhënë mbi tubin magjistral metalik të ujit, një nga arteriet kryesore që furnizon një pjesë të mirë të Tiranës. Projekti po zbatohet nga shoqëria “TDT & Partners” SHPK, kompani e zotëruar nga Dajlan Avdia, ish-aksioner i APEX të lojërave të fatit, dhe Glendi Abdi, emra këta të lakuar për lidhje të forta me kupolën e pushtetit, përfshirë edhe lidhje nepotike e investime të përbashkëta që të çojnë deri te familjarë të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Por sot pas disa javësh, situata ka kaluar nga satirike në emergjencë totale. Pas denoncimeve të para, ku kompania përdori fadromat si bllokadë vizuale dhe inxhinierët e UKT-së u panë duke bërë matje në fshehtësi, sonte në mbrëmje, në fundjavë dhe nën errësirë, situata ka shpërthyer hapur.

Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksi nga qytetarët në vendngjarje, kompania ka vendosur makina dhe mjete të rënda përreth perimetrit për të bllokuar pamjen dhe për të penguar çdo filmim apo dokumentim nga banorët, ndërkohë që ndërtuesit po bëhen gati të ndërhyjnë gjatë natës për të prerë tubin kryesor të çelikut me diametër 70 centimetra duke përdorur oksigjen, për ta devijuar atë me katër bërryla vetëm e vetëm që të mos dëmtohet themeli i kullës.

E gjithë kjo lëvizje po ndodh në fshehtësi absolute, pa praninë e autoriteteve zyrtare apo të një transparence publike, duke rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve dhe duke i hapur rrugë një katastrofe të mundshme urbane në zemër të Tiranës.

Banorët bëjnë thirrje urgjente për ndërhyrjen e institucioneve dhe opinionit publik për të ndalur këtë akt të paprecedentë, ku interesat e betonit dhe paratë e bixhozit po shkatërrojnë infrastrukturën vitale të kryeqytetit.

Denoncimi i qytetarit:

Po behen gati te presin kolektorin natën qe te mos i shoh njeri. Po e bejne ne fundjavë natën. Tek komuna e parisit. Kane vendosur makina per tju bllokuar pamjen. Po e presin me oksigjen tubin 70cm te celikut edhe do i vendosin 4 brryla, skandal as ukt asnje prezent

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit