SKANDALI/ Klodian Mërtiri, njeriu hije i inceneratorëve ende “në shënjestër” të ndërkombëtare

SKANDALI/ Klodian Mërtiri, njeriu hije i inceneratorëve…

Biznesmeni afrikan Delish Nguvaja do të qëndrojë në burg, ndërkohë që autoritetet e Zimbabves po hetojnë shqiptarin Klodian (Mirel) Mërtiri, i prezantuar atje me emrin Ilir Dedja, pronar i kompanisë së këshillimit, “Drax Consult SAGL”, e cila fitoi në mënyrë të dyshimtë një tender 60 milionë dollarë për furnizimin me pajisje anti-Covid.

Ky skandal shkoi deri te INTERPOL, në Hungari dhe në Itali, për cilin po flasin shumë media të tjera, përveç atyre shqiptare.

Personi i akuzuar ishte Mirel Mërtiri, apo Klodian Mërtiri, por ky i fundit ka bërë një deklaratë duke thënë se publikimet në Shqipëri janë bërë me qëllim për t’i prishur atij reputacionin dhe imazhin dhe se ai nuk është shtetasi Ilir Dedja, për të cilin shkruanin mediat në Zimbabve.

Një gjykatës në kryeqytetin e Zimbabves, refuzoi kërkesën e Ngujavas për lirim me kusht. Për gjykatën, biznesmeni kontrovers, i cili ka luajtur rolin e përfaqësuesit të “Drax SAGL” mund të ndikojë në provat dhe dëshmitw e procesit hetimor, në të cilin rezultojnë të përfshirë edhe anëtarë të familjes presidenciale të shtetit afrikano-qendror.

Autoritetet në Zimbabve janë të bindur se kompania “Drax” e Ilir Dedjas, ose siç njihet në Shqipëri Klodian (alias Mirel) Mërtiri, njeriu-hije i inceneratorëve, ka mashtruar shoqërinë shtetërore të shëndetësisë, “Natpharm”, në tenderin për furnizim 60 milionë dollarë për pajisje mjekësore dhe medikamente anti-Covid 19.

Për prokurorët e shtetit afrikan, “Drax SAGL” ka përfituar tenderin në Shëndetësi, ndërkohë që nuk ka asnjë lloj aktiviteti në këtë fushë. Objekti i kompanisë së Klodian Mërtirit (Ilir Dedja), e regjistruar në Zvicër është shërbim këshillimor.

“Drax Consult SAGL” nënshkroi kontrata me vlerë 60 milionë dollarë amerikanë me qeverinë e Zimbabves për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore të “NatPharm”, kompania shtetërore, e cila merret me të gjitha prokurimet që lidhen me shëndetin për spitalet publike.

Qeveria në Zimbabve ka anuluar kontratat. Por, reagimi ishte disi i vonuar, pasi “Drax SAGL” kishte transferuar miliona dollarë në llogari bankare të hapura në Hungari dhe Mauritius.

Prokurorët akuzojnë Nguvaya dhe partnerin e tij, me origjinë nga Shqipëria Ilir Dedja (Klodian Mërtiri), për mashtrim. Ata e kanë prezantuar “Drax SAGL” si një “kompani farmaceutike me qendër në Zvicër”.

Por në fakt, “ajo është thjesht një kompani këshilluese, pa asnjë përvojë në prodhimin e ilaçeve dhe produkteve mjekësore”./Gazetaatdhu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit