Një nga betejat e fundit më të nxehta dhe më të kontestuara të prokurimeve publike në vend ka marrë një kthesë të re në dyert e drejtësisë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur të pezullojë përkohësisht vendimin e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), e cila kishte dënuar me 12 muaj përjashtim nga garat publike kompaninë e Renis Tërshanës, e akuzuar se ka përdorur dokumente të rreme kineze për të kapur tenderin kolosal të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).
Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “R&T” sh.p.k. në pronësi të biznesmenit Renis Tërshana dhe “TBS 96” sh.p.k., në pronësi të Artan Xhorit. Ky konsorcium ishte vënë në shënjestër të APP-së pas verifikimeve zyrtare që provuan se, për të fituar tenderin me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me një fond limit prej rreth 906.9 milionë lekë pa TVSH (afërsisht 9.1 deri në 9.5 milionë euro), kishin dorëzuar autorizime të rreme nga një prodhues ndërkombëtar nga Kina.
Tahmaja për të kapur kontratën e majme 4-vjeçare duket se është përplasur me murin e institucioneve, por vetëm pjesërisht. Pasi APP-ja lëshoi Vendimin nr. 45, datë 31 korrik 2026, duke i prerë biletën e përjashtimit për një vit dy kompanive dhe duke ia kaluar paraprakisht kontratën e miliona eurove një bashkimi tjetër operatorësh (Idea-Tel dhe Real Com), reagimi i “R&T” dhe “TBS 96” ka qenë marrja e mbrojtjes në rrugë gjyqësore.
Me vendimin nr. 136, datë 5 gusht 2026, Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën e dy kompanive për sigurimin e padisë, duke urdhëruar ngrirjen e efekteve të vendimit ndëshkimor të APP-së derisa të jepet një vendim përfundimtar në themel.
Në zbatim të këtij urdhri gjyqësor, APP-ja është detyruar të heqë përkohësisht emrat e dy shoqërive nga lista e operatorëve të përjashtuar. Megjithatë, në një distancim institucional, Agjencia ka theksuar se kjo lëvizje nuk përbën një shfuqizim të vendimit të saj origjinal, por thjesht një zbatim të detyrueshëm të urdhrit të gjykatës.
Kjo çështje, e cila ka zbuluar skandale të njëpasnjëshme, përplasje mes RTSH-së dhe Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), si dhe pretendime për falsifikim vulash e autorizimesh ndërkombëtare, mbetet e hapur. Deri në fjalën e fundit të drejtësisë, kompanitë e akuzuara rikthehen ligjërisht në lojë, duke lënë pas një hije të rëndë dyshimi mbi mënyrën se a po përdoren gjykatat si mburojë për shkeljet e konstatuara në tendera me para publike.