Skandali me bursat e NATO-s në Shqipëri/ A ka dijeni ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka për manipulimet?

Skandali me bursat e NATO-s në Shqipëri/…

Shqipëria prej një dekade është anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, por vitet e fundit qeveria e Rilindjes e ka harruar këtë aspekt.

Qeveria jo vetëm që nuk i përgjgjet në nivelin e duhur detyrave dhe standarteve të NATO-s, por ka nisur edhe nga skandalet me rregullat dhe përfitimet që vijnë prej saj.

Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” bëri publike, skandalin me manipulimin e bërë, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, të listave, me renditjen e fituesve të bursave të studimit, në Akademitë Ushtarake Greke.

Burime të brendshme zyrtare, i konfirmuan gazetës “Shqip”, se në lidhje me këtë çështje, një strukturë e posaçme brenda Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ka nisur një hetim, rezultatet e të cilit, me t’i siguruar, do t’i bëjmë publike.

Ndërkohë, që është vënë në dijeni edhe Atasheu Ushtarak pranë Ambasadës greke, në Tiranë. Për këtë padrejtësi, familja e kandidatit fitues në degën Mjekësi Ushtarake, Aldo Bledar Graceni, thotë, që ka vënë në dijeni shkresërisht Ministrinë e Mbrojtjes, Qendrën e Personel Rekrutimit, Kryeministrin dhe Avokatin e Popullit.

Familjarët thonë gjithashtu, se pasi të marrin përgjigje nga institucionet vendase, dhe në rast se, nuk u jepet e drejta, që u takon, ata do t’i drejtohen edhe Selisë Qendrore të NATO-s në Bruksel, pasi në fund të fundit, kjo organizatë duhet ta di, se si keqpërdoren financimet e saj nga ana e Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes.

Ndërkohë që Ministrja e Mbrojtjes, zonja Olta Xhaçka, duket se është vënë, dhe ka pasur dijeni, për gjithë procedurën antiligjore, që po ndiqej nga vartësit e saj.

Pasi manipuluan listën zyrtare të firmosur dhe vulosur nga gjithë zyrtarët, që ndoqën testimet dyditore, dhe pasi katapultuan kandidatin e renditur i katërti, direkt në vendin e parë, dhe fituesin e vërtetë (sipas listë meritës) e spostuan, (megjithëse kryesonte me 14 pikë më shumë), zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, raportojnë tek eprorja e tyre: “Shefe, vërtet Aldo Graceni është fitues, por në analizën që ne bëmë, vendosëm të llogaritim pikët e Kimisë, Biologjisë dhe lëndës me zgjedhje të maturës.

“Shefja” pra është njoftuar, për këtë procedurë të kundraligjshme, që bie ndesh me Urdhrin 1014, datë 22.05.2017 të Ministrit të Mbrojtjes, mbi të cilin është bazuar gjithë procedura (Foto 3).

Në gazetën “Ushtria”, e premte 10 korrik 2020, në faqen 8, Qendra e Personel Rekrutimit shpall aplikimet për 4 bursa në Shkollat e Larta Ushtarake të Greqisë.

Në të cilësohet, që kandidatët, që do të aplikojnë, duhet ta kenë mesataren, jo më pak se 6.5 pikë. Fituesi, Aldo Bledar Graceni, e ka mesataren 9.33.

Konkursi dyditor u zhvillua në datat 15-16 korrik 2020. Pas procedurave të kundraligjshme, të ndjekura brenda dikasterit të Mbrojtjes, sikur të mos mjaftonte mungesa e transparencës, familja e djalit fitues, merr më datë 3 gusht 2020, në orën 20.17 të darkës, një telefonatë nga shefja e Kabinetit e Ministrisë së Mbrojtjes, zonja Belioza Çoku.

Për rreth 15 minuta, zonja Çoku shantazhoi dhe ushtroi presion psikologjik ndaj familjes së fituesit, duke ju thënë, se duhej t’i tregonin asaj, se nga e kishin siguruar listën zyrtare, të Qendrës së Personel Rekrutimit. Sipas zonjës Çoku, ai do të ndiqej penalisht, për këtë vepër të rëndë penale.

Shefja e Kabinetit, zonja Belioza Çoku, ju tha familjarëve, se fliste në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe se ishte ngarkuar nga Ministrja, zonja Olta Xhaçka, që t’i njihte prindërit e djalit fitues, me arsyet se pse ai u spostua nga vendi i parë, pas procedurave antiligjore, që u ndoqën brenda Ministrisë së Mbrojtjes.

Zonja Çoku zgjodhi t’ia komunikonte “zyrtarisht” këtë lajm familjes, jashtë orarit dhe kanaleve zyrtare. Lista me renditjen e fituesve, në fakt duhej bërë publike që kur dolën rezultatet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani.

Në Urdhrin 1014, datë 22.05.2020 janë përcaktuar qartë kriteret e konkursit. Urdhër ky, që zbatohet kur bëhet konkursi, dhe që në rastin e Aldo Gracenit, anashkalohet totalisht.

Me këtë logjikë të ndjekur nga punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, Kimia, Biologjia dhe lënda me zgjedhje, llogariten dy herë, një herë me mesataren, dhe një herë tjetër se kështu do, dhe i duhet Ministrisë së Mbrojtjes.

Pyetja që vazhdojmë të shtrojmë është: Po pikët e testimeve ku shkuan, ku t’i çojnë konkurrentët? Përse u zhvillua gjithë ai testim dyditor? Mbi ç’kritere përfitohet bursa e plotë, që ofron shteti grek, anëtar i NATO-s?

Sipas Urdhrit 1014, Atasheu Ushtarak i Greqisë, duhet të jetë mbikëqyrës, në gjithë procesin përzgjedhës të kandidatëve.

Por a është vënë në dijeni Atasheu, për “kriteret e reja”, që u aplikuan nga Ministria e Mbrojtjes, pas daljes së rezultateve?

Nëse “po”, cili ka qenë qëndrimi i tij? Rregullorja e konkursit e thotë qartë, mesatarja e kandidatit ka 15 pikë, dhe Pikë!

Që do të thotë, se në Ministrinë e Mbrojtjes kanë shpikur një formulë të re, (më saktë kanë gjetur një alibi) për të nxjerrë patjetër fitues, personin e paracaktuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Pikët e testimeve nuk u morën fare në konsideratë nga Ministria e Mbrojtjes, duke e bërë kështu nul, gjithë testimin e bërë.

Familjarët e djalit fitues Aldo Gracenit, thonë se, po përballen me presione të formave të ndryshme, nga njerëz, që kanë lidhje me personat e interesuar, në këtë aferë.

/Burimi: Gazeta Shqip/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit