Skandali me Inceneratorët e mbetjeve/ SPAK merr në hetim Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton

Skandali me Inceneratorët e mbetjeve/ SPAK merr…

SPAK-u ose Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më në fund ka marrë për bazë edhe denoncimet e bëra nga mediat.

Ky organ ka regjistruar fillimin e procedimit për dosjen e famshme të inceneratorëve të mbetjeve në Shqipëri.

Janë pikërisht miqtë oligarkë të kryeministrit Rama dhe të “Tigrit” Arben Ahmetaj, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ata që do të vihen nën hetim për abuzimet miliona euro që qeveria u ka dhënë për inceneratorët e mbetjeve.

“Gazetaatdheu.com” e cila ka shkruar disa herë për këtë aferë, ka mësuar sot nga burime zyrtare të SPAK se, “pas disa dhjetëra denoncimesh të bëra në media, ky institucion tashmë do të hetojë dosjen famëkeqe, që fillon me 178 milionë euro dhe shkon në gati 400 milionë euro”.

Të gjitha këto para të taksave të shqiptarëve dhe biznesit do të zhvateshin me një dorë nga një ortakëri midis kryeministrit Edi Rama, “tigrit” Ahmetaj dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilët ua kishin ngarkuar si ‘lojë koncesionare’ dy figurave Mërtiri dhe Zoto.

Por së fundi, kjo aferë u denoncua publikisht edhe nga një prej aktivistëve të “Nisma Thurje”.

Në datën 24 qershor 2020, “Nisma Thurje” ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për inceneratorin e Fierit.

Shoqëria civile kërkoi që Prokuroria e Posaçme të hetojë koncesionin dhe zyrtarët që janë përfshirë.

Kallëzimi është bërë për prishje të garës, barazisë në tendera, keqadministrim të pasurisë publike, falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit, evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale dhe përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar.

“Gazetaatdheu.com” që e ka denoncuar më herët këtë abuzim në përmasa kolosale, ka mësuar gjithashtu se do të jetë prokurori Dritan Prençi, i cili do të udhëheqë hetimin në lidhje me skandalet e dosjes së inceneratorëve.

Në shkrimet tona më herët për këtë aferë, kemi raportuar me fakte dhe dokumente, si lidheshin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto nga inceneratori i Elbasanit në atë të Fierit, në Tiranë, me shtetas të huaj por edhe me kompani “guacka” apo fantazma, të regjistruara në Holandë./Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit