Një skandal ka shpërthyer në Policinë e Qytetit të Cyrihut, ku dy efektive janë vënë nën hetim për lidhjet e tyre me një 35-vjeçar shqiptaro-zviceran, i njohur prej vitesh nga autoritetet për të kaluarën e tij kriminale.
Sipas mediave zvicerane, 35-vjeçari është përpjekur të krijojë imazhin e një biznesmeni të suksesshëm në rrjetet sociale, ku shfaq jetën luksoze mes jahtesh, makinash sportive dhe festash me personazhe të njohur. Por dosja e tij penale tregon një tjetër realitet. Ai konsiderohet ish-bashkëpunëtor i një bosi të drogës dhe është dënuar disa herë për vepra të rënda penale, mes tyre përdhunim, trafik narkotikësh dhe shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas raportimeve, njëra prej efektiveve i kishte mundësuar akses në sistemin e brendshëm të Policisë, duke lënë të zhbllokuar telefonin e saj të punës. Në këtë mënyrë, 35-vjeçari arriti të kryente kërkime në bazën zyrtare të të dhënave. Për këtë shkelje, policja u dënua me urdhër penal në muajin prill dhe u pushua nga detyra.
Hetimet zbuluan se 35-vjeçari kishte krijuar lidhje edhe me një efektive tjetër të Policisë së Cyrihut. Ndaj saj është hapur një procedim penal nën dyshimin për shkelje të sekretit zyrtar. Autoritetet sqarojnë se ndaj saj vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë. Policia ka konfirmuar se efektivja nuk është më pjesë e trupës që prej dhjetorit 2025.
Policia e Qytetit të Cyrihut ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme, duke iu referuar legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Institucioni bëri të ditur se prej vitit 2015 ka ngritur një strukturë të posaçme për parandalimin dhe zbulimin e shkeljeve të kryera nga punonjësit, ndërsa efektivët trajnohen rregullisht për etikën profesionale dhe detyrimet që burojnë nga funksioni i tyre. Megjithatë, autoritetet theksojnë se sjellja e punonjësve në jetën private nuk mund të monitorohet, edhe pse ligji u kërkon të mos dëmtojnë reputacionin e Policisë, edhe jashtë orarit zyrtar të punës.