SKANDALI/ Teatri u shemb pa plan rindërtimi, Veliaj shpall tenderin dy muaj pasi e rrënoi

SKANDALI/ Teatri u shemb pa plan rindërtimi,…

Bashkia e Tiranës, dy muaj pas rrënimit të Teatrit Kombëtar, ka shpallur tender për ‘Studim-Projektim “Ndërtim i Teatrit Kombëtar”, duke konfirmuar në këtë mënyrë se vendimi për ndërhyrjen me forcën e policisë dhe të fadromave është kryer pa një plan konkret për rindërtimin e tij.

Raportohet, se këtë të Premte, Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, njofton se ka shpallur procedurën për projektimin e godinës së re të Teatrit, me fond limit rreth 60 milionë lekë të reja.

Ofertat nga studiot private pritet të dorëzohen brenda 10 ditëve, e konkretisht në datën 14 Korrik 2020.

Referuar të dhënave zyrtare, godina e re e “Teatrit Kombëtar” propozohet ”për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme”.

Bashkia e Tiranës, në dokumentat e tenderit, ka prezantuar detaje mbi mënyrën se si kërkohet të jetë projekti për Teatrin e ri Kombëtar, por, në asnjë rresht nuk përmendet nëse ajo do të jetë strukturë më vete apo pjesë e një kompleksi kullash shërbimi.

Autoriteti kontraktor ka caktuar mënyrën se si do të kryhet pikëzimi i kompanive pjesëmarrëse në tenderin për studimin dhe projektimin e Teatrit Kombëtar.

Niveli maksimal i pikëve është parashikuar 100, i cili ndahet në disa nën-kategori.

– Përvoja në punë të ngjashme si konsulent do të vlerësohet nga 0-10 pikë;
– Metodoligjia e propozuar do të vlerësohet nga 20-30 pikë;
– Kualifikimet e stafit do të vlerësohet nga 20-50 pikë;

Minimumi i pikëve që duhet të marrë një studio projektimi para se të vijojë garën, do të jetë 70.

Për t’u shpallur të suksesshme, studiot e projektimit duhet që të kenë përvojë të suksesshme në kontrata të mëparshme me vlerë sa 40% e fondit limit për këtë tender. Praktikisht, duhet të jenë shpallur fitues në tendera projektues me vlerë minimalisht 24 milionë lekë të reja.

Ky limit, pavarësisht se është ligjor, e orienton fituesin drejt një grupi të vogël studiosj “kliente” të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të cilat kanë përfituar kontrata multi-milionëshe për shkak të lidhjeje me “qark të shkurtër” me zyrtarët e lartë qeveritarë apo bashkiakë.

Përtej detajeve teknike, hapja e tenderit për studimin dhe projektimin e Teatrit të ri Kombëtar dëshmon se ndërhyrja brutale e 17 Majit 2020 për të prishur ish-godinën, është kryer në mungesë të një projekti zhvillimi.

Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës kanë deklaruar shpesh se projekti për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar ka qenë gati para se të ndërhyhej për prishjen e godinës historike.

Por, tenderi i shpallur më së fundmi është dëshmi e asaj që tashmë qytetarët e Tiranës, por sidomos aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e dinin prej kohësh.

Veliaj prishi Teatrin Kombëtar pa një plan konkret, duke forcuar dyshimet se e gjithë sipërmarrja është një aferë për t’i hapur rrugë bizneseve private në qendrën historike të kryeqytetit./Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit