
Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë brenda pak orësh në dy qytete të ndryshme, pasi u kapën me kokainë në mjetet respektive me të cilat po udhëtonin.
Rasti i parë ndodhi në Perugia, ku karabinierët ndaluan një 25-vjeçar shqiptar pa vendbanim fiks, i cili po qëndronte në makinë në mënyrë të dyshimtë. Gjatë kontrollit, policia gjeti 11 doza kokaine të mbështjella me celofan, të fshehura në një çorape nën sediljen e pasagjerit, si dhe 100 euro para cash. I riu u arrestua dhe u dërgua në dhomat e sigurisë, ndërsa gjykata e Perugias e konfirmoi arrestimin.
Ndërkohë, në Genova, një tjetër shqiptar 24 vjeç, gjithashtu pa vendbanim të përhershëm, u ndalua teksa drejtonte një makinë me qira në zonën Albaro. Ai fliste vetëm shqip dhe dha versione kontradiktore për qëndrimin e tij në Itali. Gjatë kontrollit, u kap me një sasi prej 10 gramë kokaine të ndarë në 15 doza dhe me 950 euro para cash. Edhe ky i fundit u vu në pranga nga policia italiane.
Arrestimet pasojnë një valë arrestimesh të shqiptarëve në Itali për trafik droge, që duket se po vijon pa ndalur.