Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaron pasuri me vlerë 15.5 milionë lekë, mes së cilës edhe një apartament me vlerë 75 mijë euro të blerë në Tiranë gjatë vitit 2018.

Besa Shahini u emërua ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në dhjetor 2018, pas ndryshimeve të kabinetit qeveritar që pasuan protestat studentore të të njëjtit muaj. Shahini zëvendësoi në këtë post Lindita Nikollën, e cila e drejtoi Ministrinë e Arsimit nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.

Besa Shahini ka lindur në Prishtinë në vitin 1982. Znj. Shahini mban titullin Master në Politika Publike nga Shkolla e Qeverisjes Hertie, në Berlin. Studimet Bachelor në Shkenca Politike dhe Administratë Publike i ka kryer pranë Universitetit të Jorkut. Ajo ka studiuar gjithashtu me bursë të plotë “Jean Chrétier” në Kolegjin Lester B. Pearson, në Toronto.

Besa Shahini u emërua zv. ministre e Arsimit në vitin 2017, pas një karriere të pasur profesionale në Kosovë, Gjermani, Kanada. Në shtator 2020, Shahini dha dorëheqjen nga posti i ministres së Arsimit me motivimin se do të largohej nga Shqipëria.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini nga fillimi i detyrës publike në vitin 2017 deri në fund të vitit 2018.  [Kliko për skedën në PDF]

/birn