Skema korruptive dhe skenaret mashtruese të “Bankers Petroleum”. 9 të arrestuar, 5 në kërkim, ja detajet.

Skema korruptive dhe skenaret mashtruese të “Bankers…

Për dy dekada me radhë, “Bankers Petroleum Albania Ltd” zhvilloi një model të mirëfilltë korrupsioni, ku punësimet bliheshin me mijëra euro dhe fitimet fshiheshin pas deklaratave të rreme për humbje.

Një hetim i thelluar i Prokurorisë së Fierit ka goditur në zemër kompaninë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, duke zbuluar një rrjet të gjerë mashtrimesh dhe abuzimesh. Janë lëshuar 14 masa sigurimi për drejtues e ish-drejtues të kompanisë, ndërsa 9 prej tyre tashmë janë ekzekutuar. Ndërkohë, 5 shtetas të huaj janë shpallur në kërkim.

Hetimet, të nisura pas një kallëzimi të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, kanë zbuluar skema të sofistikuara për fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mashtrime me TVSH-në. Prokuroria nënvizon se kompania përdori metoda mashtruese për të nxjerrë fitime fiktive, duke shmangur kështu detyrimet tatimore.

“Bankers Petroleum” rezulton të ketë zhvilluar një aktivitet intensiv tregtar në zonën e pasur me naftë Patos-Marinëz, që nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës. Megjithatë, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, duke shmangur kështu çdo pagesë tatimore ndaj shtetit shqiptar. Në total, nga shitjet dhe eksportet janë realizuar mbi 532 miliardë lekë të ardhura, ndërsa deklarimet tatimore justifikonin humbje prej 11.6 miliardë lekësh.

Skemat mashtruese përfshijnë fryrjen e shpenzimeve në mënyrë fiktive, për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme rimbursim të TVSH-së. Kompania dyshohet se ka falsifikuar dokumente financiare dhe ka kryer transaksione të dyshimta me kompani e individë brenda dhe jashtë vendit.

Një tjetër aspekt shqetësues i modelit të saj operativ ishte korrupsioni në politikat e punësimit. Sipas dëshmive dhe hetimeve, për të siguruar një vend pune në kompani, kërkoheshin ryshfete që nisnin nga 5 mijë euro, edhe për pozicionet më të ulëta.

Prokuroria dyshon se e gjithë struktura e kompanisë ka funksionuar si një skemë e përpunuar për përfitim personal dhe shmangie të detyrimeve ligjore. Në bashkëpunim me individë dhe kompani të tjera, “Bankers” ka ndërtuar një rrjet të tërë operacionesh të dyshimta që shërbenin vetëm për të fshehur fitimet reale.

Nga kontrollet e ushtruara në ambientet e kompanisë dhe banesa private janë sekuestruar prova të rëndësishme që mbështesin akuzat për mashtrim dhe pastrim parash. U ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, K.Xh, A.K, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal. Kjo ndërhyrje u konsiderua e domosdoshme për të parandaluar fshirjen e provave dhe për të ndaluar ikjen e të dyshuarve.

Pavarësisht deklarimeve zyrtare të “Bankers” për humbje të vazhdueshme, sasia e naftës së nxjerrë dhe e ardhurat nga eksporti e tregtia e brendshme përbëjnë tregues të qartë të përfitimeve të mëdha që fshiheshin përmes dokumenteve të falsifikuara.

Prokuroria ka paralajmëruar se hetimet do të vijojnë, pasi ka indicie për përfshirjen e shumë aktorëve të tjerë në këto skema mashtrimi, përfshirë edhe institucione që kanë mbyllur sytë përballë kësaj strukture të organizuar.

Në përfundim, autoritetet shprehen të vendosura për të çuar përpara ndjekjen penale të të gjithë atyre që kanë kontribuar në dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar përmes “Bankers Petroleum”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit