Skerdi Drenova i OST i habit të gjithë, 100 milionë lekë për të lyer shtyllat me bojë

Skerdi Drenova i OST i habit të…

Tenderat që organizohen në këtë vend që quhet Shqipëri janë të panumërt. E natyrisht pjesa dërrmuese e tyre, ashtu siç i keni parë të trajtuara nga ne, janë tepër të dyshimtë. E megjithatë në morinë e madhe të tyre, ka nga ata tendera që të befasojnë që tek objekti. Njëri prej tyre është ky që do t’ju paraqesim në vijim. Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të organizuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) që drejtohet nga Skerdi Drenova.

Ky tender mban numrin e referencës REF-80150-11-26-2020 dhe ka si fond limit shifrën 10.000.000 lekë të reja pa TVSH. Po cili është objekti i këtij tenderi? Fare e thjeshtë, është “Blerje bojëra dhe aksesorë për lyerjen e shtyllave TL”. Pra siç shikohet qartë, OST i Skerdi Drenovës planifikon që të harxhojë rreth 100 milionë lekë të vjetra pa TVSH për të lyer shtyllat me bojë. Por le t’i hedhim një sy dokumentacionit të këtij tenderi.

Duke hulumtuar të dhënat shikojmë se në garë kanë marrë pjesë katër kompani. Bëhet fjalë për “DEUTSCHCOLOR” me ofertë 6,007,600 lekë të reja pa TVSH, “GENTIAN HORIETI p.f.” me ofertë 7,987,500 lekë të reja pa TVSH, “OL-VAHROM” me ofertë 8,083,000 lekë të reja pa TVSH dhe “DOALPAINT” me ofertë 9,898,600 lekë të reja pa TVSH. Për habi shikohet se fitues është shpallur “GENTIAN HORIETI p.f.” më ofrtën e tij që shkon rreth 100 milionë lekë të vjetra nëse llogarisim edhe vlerën e TVSH-së. Themi për habi, pasi shikohet qrtësisht se njëra nga firmat pjesëmarrëse ka ofruar një vlerë më të ulët. Madje jo pak por me një diferencë rreth 24 milionë lekë të vjetra me TVSH. E gjeni dot se sa shtylla shtesë mund të lyhen me 24 milionë lekë të vjetra? Jo? Mbase duhet të pyesim Skerdin.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit