Socialistët e pakënaqur të Kukësit djegin teserat në shenjë proteste: Askush s’pyet për ne

Socialistët e pakënaqur të Kukësit djegin teserat…

Një grup prej 36 anëtarësh të Partisë Socialiste në Kukës shprehin pakënaqësi të thellë ndaj drejtimit lokal të partisë dhe Bashkisë Kukës, duke treguar se kontributi i tyre ndër vite nuk po vlerësohet dhe se shqetësimet e tyre nuk po marrin përgjigje.

Sipas denoncimit të mbërritur nga qytetarët, anëtarët shprehen se, pavarësisht angazhimit dhe përfshirjes së tyre në strukturat e Partisë Socialiste, askush nuk interesohet për problemet që ata ngrenë dhe nuk u përgjigjet telefonatave të tyre.

Në qendër të pakënaqësive është edhe kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, të cilin anëtarët e akuzojnë për emërime nepotike në administratën vendore.

Konkretisht, ata ngrenë pretendime për emërimin e një personi në një pozicion drejtues pranë Drejtorisë së Transportit, për shkak të lidhjeve familjare, duke vënë në pikëpyetje kriteret e përzgjedhjes.

Denoncuesit shprehen gjithashtu të revoltuar për atë që e konsiderojnë si mungesë mbështetjeje ndaj socialistëve në Kukës, ndërsa pretendojnë se interesat e tyre po shpërfillen edhe në çështje që lidhen me pronat dhe mundësitë e punësimit.

Pakënaqësitë e tyre shtrihen edhe ndaj të dërguarit politik të Partisë Socialiste, Erjon Malaj, për të cilin thonë se nuk u përgjigjet telefonatave dhe nuk po ndërhyn për zgjidhjen e problemeve të ngritura prej tyre.

Të zhgënjyer nga situata, 36 anëtarët paralajmërojnë dorëheqjen nga Partia Socialiste, duke deklaruar se janë të gatshëm të shkojnë deri në djegien e teserave të anëtarësisë, në shenjë proteste ndaj mënyrës se si po trajtohen.

Anëtarët kërkojnë vëmendje dhe reagim nga drejtuesit e Partisë Socialiste, ndërsa mbetet për t’u parë nëse strukturat drejtuese do t’u japin përgjigje këtyre shqetësimeve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit