Sonila Meço: Edhe Shqipëria është si Afganistani, mund të kemi të njëjtin fat

Sonila Meço: Edhe Shqipëria është si Afganistani,…

Sonila Meço ka bërë një shkrim për situatën në Afganistan, duke hequr një paralele me Shqipërinë. Sipas saj, edhe në jemi një vend eksperimental si Afganistani dhe mund të kemi të njëjtin fat.

Shkrimi i Sonilës

Ajo e Afganistanit është një histori e dështimit të përsosur prej korrupsionit dhe përfitimeve marramendëse prej tij. Nga vendas e të huaj.

Në Shqipëri, kjo fjalë prej përdorimit të shpeshtë ka krijuar fenomenin psikologjik të ngopjes semantike, thënë thjesht: përsëritja e vijueshme e një fjale bën që ajo të humbasë thelbin për dëgjuesin, që më pas përfton vetëm tinguj të pakuptimtë. Korrupsioni shoqëroi një luftë, që nisi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit (për pak ditë mbushen plot 20 vjet).

Do bie edhe unë në përsëritje duke i shtuar nga një gllënkë “ngopjes semantike” të shqiptarëve me fjalën “korrupsion”, por është ekzaktësisht ai, që riktheu Talebanët me lehtësi të papërballueshme në pushtet.

Korrupsion i furnizuar edhe nga tregëtia e pakontrolluar e drogës, opiumit, mobilizimi i miliarda dollarëve (gati një trilion), në projekte të pafundme jo efektive për misionin e deklaruar, ndërtimin e demokracisë.

Pse u intereson shqiptarëve dhe nuk vlen një groshë cinizmi me analizat nga një vendth i vogël në juglindje Europe për çfarë ndodh në anën tjetër, në Lindjen e Mesme?

E para, sepse na thirrën në vëmendje duke zgjedhur Shqipërinë si vend strehimi të sigurt për afganët, që bashkëpunuan me forcat aleate. Do të bashkëjetojmë me ta, si me muxhahedinët, do të integrohen në jetën tonë dhe në kushte transparence minimale të gjithë do të rreken të kuptojnë, spekullojnë, konspirojnë. Në vendin ku askush nuk pyetet. Askush nuk dëgjohet.

E dyta, sepse ishim pjesë e Koalicionit Antiterror, me qëllimin e mirë të nisjes së një lufte të drejtë, duke kontribuuar me njerëz e mjete në luftën në Afganistan. Pa ngurimin më të vogël. Të gatshëm e dinjitozë, komando, bij nënash, baballarë e njerëz të mirë shqiptarë iu dhanë pa asnjë hezitim, rrezikuan jetë një lufte të egër për të bërë botën më të sigurt nga terrorizmi.

E treta, sepse aleati ynë më i madh strategjik, SHBA vendosi tërheqjen nga Afganistani duke shënuar disfatë pas dy dekadash përpjekjeje. Dhe kur aleati strategjik, të cilit i beson edhe procese të rëndësishme shtet-ndërtuese në vend, tërhiqet nga një betejë për eksportim demokracie në një vend tjetër të gërryer korrupsioni, kjo e trondit jo pak perceptimin mbi të ardhmen afër teje. Pse mos dështojmë edhe ne?

E katërta, sepse pamjet e tmerrshme të ikjes së çartur me avionë të tejmbushur, me mjete të çdo mënyre të njerëzve të lebetitur nga triumfi i talebanëve ngacmojnë kujtesën kolektive të një vendi dërrmuar nga emigracioni masiv.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit