Mesditën e kësaj të shtune të 15 marsit 2025 bëhen plot 17 vite nga një ndër ngjarjet më të përgjakshme në vendin tonë, tragjedisë së Gërdecit.
Ishte ora rreth 12:05 e datës 15 mars 2008, kur në fshatin Gërdec shumë pranë Tiranës, një shpërthim i madh ndodhi në të ashtëquajturën “Ish-brigada e Tanqeve”, ku bëhej çmontimi i municioneve luftarake nga kompania “Albademil” sh.p.k.
Disa shpërthime të njëpasnjëshme shkaktuan një shpërthim më të madh, që i mori jetën 26 personave dhe la të lënduar mbi 300 banorë të tjerë të zonës dhe punëtorë të fabrikës. E gjithë zona u trondit.
Shpërthimi nuk u ndje vetëm në Gërdec por edhe në shumë zona të tjera fqinje, ku përveç pasojave fatale në jetë njerëzish, dëmet materiale ishin të shumta.
Edhe pse kanë kaluar 17 vite nga ajo tragjedi, familjarët e viktimave sot ende nuk janë të qetë, pasi nuk kanë gjetur drejtësi për të afërmit e tyre. Asnjë zyrtar nuk u vu para përgjegjësisë për tragjedinë.
Një prej familjarëve të viktimave e referoi çështjen në SPAK disa vite më parë, ku edhe dha dëshmi. Aktualisht si i pandehur është marrë ish-ministri i Mbrojtjes së kohës Fatmir Mediu, i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shpërdorim detyre mbi bazë të kodit ushatark”.
Prej vitesh thirrja e familjarëve ka qenë për drejtësi, por nuk dihet nëse ndonjëherë shpirti i tyre do të qetësohet nga gjykatat e vendit tonë.