Sot 25 vite nga masakra e Reçakut, serbët masakruan 45 civilë

Sot 25 vite nga masakra e Reçakut,…

Kjo e hënë e 15 janarit 2024 përkujton një nga masakrat njerëzore më të përgjakshme në Ballkan, atë të luftës së Kosovës.

Bëhet fjalë për datën 15 janar të vitit 1999, 25 vite më parë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes në Kosovë, 45 persona do të vriteshin dhe masakroheshin nga ushtria e Serbisë. Mëngjesi i kësaj dite i gjeti banorët e fshatit të zgjuar nën rrethimin e forcave të policisë serbe dhe njësive paramilitare e ushtarake, të cilat ishin të pajisura me mjete të rënda lufte.

Ishte ora rreth 06:45 e mëngjesit, kur banorët e Reçakut u zgjuan nga zhurmat e artilerisë serbe, që filloi të bombardojë zonën nga pozicione të ndryshme. Pas një sërë bombardimesh që vazhduan për disa orë, pushtuesit serbë filluan që të bënin bastisjen e shtëpive. Banorët tentuan të largohen për të mbijetuar, por nuk mundën pasi ishin të rrethuar, shkruan TVA News.

24 burra u kapën nga forcat serbe disa nga shtëpitë, dhe u vendosën në rresht deri sa mbërritën në vendin e njohur si “Gropa e Babushit”. Pikërisht këtu ata do të pushkatoheshin një e nga një dhe më pas trupat e tyre do t’i nënshtroheshin një masakre. Mirëpo terroristët serbë nuk u mjaftuan me kaq! Po në datën 15 janar të të njëjtit vit, ata kthehen përsëri në fshat dhe masakrojnë dhe 21 persona të tjerë civilë, mes tyre fëmijë, gra dhe pleq.

E nesërmja e 16 janarit 1999 do të bënte që në fshatin Rerçak të shkonte për të parë gjendjen shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker.

Ky i fundit vizitoi dhe vendin ku u masakruan 24 burrat në “Gropën e Babushit”, atje ku sot gjendjet dhe një memorial në përkujtim të viktimave të asaj dite. I tmerruar nga pamjet, ambasadori Wallker deklaroi se ajo që pa ishte një masakër njerëzore dhe krim kundër njerëzimit.

Kjo ngjarje i kushtoi shumë Serbisë, pasi dy muaj më vonë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e dënoi këtë akt, dhe forcat e NATO-s nisën një sërë bombardimesh ndaj shtetit fqinj të Kosovës.

Lidhur me masakrën e Reçakut, në vitin 2001 gjykatësit e UNMIK, që atëherë ishte mision i OKB-së në Kosovë, dënuan me 15 vite burg oficerin e Policisë Zoran Stojanoviq, për pjesëmarrje në këtë makabritet. Ai aktualisht vijon të qëndrojë i burgosur.

Kjo ngjarje përkujtohet çdo vit, ku krerët e institucioneve drejtuese të Kosovës mblidhen për të zhvilluar homazhe në përkujtimoren e të ndjerëve. Edhe të hënën e sotme, tre liderët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca do të vendosin kurora në memorialin e viktimave të kësaj masakre.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit