Një ngjarje e rëndë dhe prekëse është bërë publike nga një mësuese në Tiranë, e cila ka denoncuar gjendjen alarmante të një personi të pafuqishëm brenda rrethimit të Spitalit Onkologjik. Përmes një mesazhi sensibilizues, ajo i kërkon publikisht Bashkisë Tiranë dhe Shërbimeve Sociale të ndërhyjnë me urgjencë për t’i ofruar strehim dhe kujdes shëndetësor këtij qytetari, i cili nuk është në gjendje të kujdeset për veten.
Deklarata e plotë e mësueses Adile Hyka:
“Sot, brenda rrethimit të Spitalit Onkologjik, pashë këtë njeri.
Nuk e njoh. Nuk di emrin e tij, historinë e tij dhe as si ka përfunduar në këtë gjendje. Por di atë që pashë me sytë e mi: ishte i pafuqishëm, ishte me një dorë, dhe i ulur përtokë, ai zvarritej dhe dukej qartë se nuk ishte në gjendje të kujdesej për veten. I dhashë një shishe me ujë. Por, kur u largova, mendova se kjo nuk është ndihmë. Është vetëm një dorë e zgjatur për pak minuta. Unë e kam parë sot para spitalit onkologjik dhe dua t’u drejtohem strukturave të Shërbimit Social dhe Bashkisë Tiranë.
Institucionet sociale duhet të dalin në terren dhe të shohin njerëzit që nuk kanë mundësi të kërkojnë ndihmë vetë.
Ky njeri nuk mund të shkojë vetë të kërkojë strehim.
Ndoshta nuk mund të kujdeset dot për veten.
Ndoshta nuk ka askënd.
Ndoshta ka një familje që nuk di ku është.
Ndoshta ka nevojë për kujdes shëndetësor.
Prandaj i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë Shërbimit Social dhe Bashkisë Tiranë:
Ju lutem, gjeni këtë njeri. Shkoni tek ai. Flisni me të. Identifikojeni. Vlerësoni nevojat e tij dhe mos e lini aty.
Brenda rrethimit të Spitalit Onkologjik, Tiranë.
Mos ta lëmë këtë foto vetëm si një pamje që na trishton për pak minuta.”