Sot zhvillohet protesta e 42-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë njoftuar se në tubimin e kësaj të shtune do të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët, sipas tyre, i janë bashkuar prej kohësh kësaj lëvizjeje. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Edhe mbrëmjen e kaluar, protestuesit marshuan në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke bërë thirrje për largimin e Ramës dhe të klasës politike.
Gjatë 42 ditëve të protestave janë dëgjuar slogane të ndryshme, mes tyre: “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen” dhe “Ju erdhi fundi”. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Një nga temat që pritet të jetë në qendër të protestës së sotme është edhe vendimi i qeverisë për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, i cili mbahet po këtë të shtunë. Sipas organizatorëve të protestës, përdorimi i 4 milionë eurove nga fondi i rezervës për këtë aktivitet është i pajustifikuar, duke argumentuar se këto fonde duhej të përdoreshin për nevoja prioritare të qytetarëve dhe sektorë të rëndësishëm të vendit. Qeveria nuk ka komentuar pretendimet e protestuesve në lidhje me këtë çështje.