
Pas përfundimit të fushatës zgjedhore nga të gjitha subjektet politike, dita e sotme shënon heshtje zgjedhore në mbarë vendin.
Më shumë se 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote pritet t’u drejtohen të dielen qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Shqipërisë, për një mandat katërvjeçar.
Kryeministri aktual, Edi Rama, kërkon një mandat të katërt, duke e përqendruar fushatën e tij në çështjen e integrimit evropian dhe pasaportën e BE-së. Nga ana tjetër, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka vendosur theksin te ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit.
Një risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja e diasporës në votim. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 245 mijë shqiptarë të regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi të japin votën e tyre për herë të parë në mënyrë të organizuar.
Në garë janë 11 subjekte dhe koalicione politike, me kandidatë të paraqitur në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë, nga të cilët 46 janë në listën e mbyllur.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash sigurie. Më shumë se 5 mijë efektivë janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore, përfshirë 93 KZAZ-të dhe 5225 qendrat e votimit në të gjithë vendin. Masat përfshijnë ruajtjen e materialeve zgjedhore dhe monitorimin e qendrave të votimit deri në përfundimin e procesit, në orën 19:00 të ditës së diel.
Zgjedhjet e 11 majit priten me interes të lartë, jo vetëm për garën politike, por edhe për ndikimin që rezultati do të ketë në drejtimin e vendit në vitet në vijim.