Sot protesta e 35-të, pritet pjesëmarrje masive e diasporës

Sot protesta e 35-të, pritet pjesëmarrje masive…

Qytetarët shqiptarë do të zhvillojnë sot protestën e 35-të, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë njoftuar se tubimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime. Sipas tyre, kjo pritet të jetë protesta më e madhe deri më tani, pasi është shpallur si protestë kombëtare dhe synon të mbledhë qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe emigrantë.

Protesta, e cila nisi si reagim ndaj situatës së ndodhur në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit. Me pankarta dhe flamuj kuqezi, protestuesit kanë bërë thirrje për ndryshim, ndërsa gjatë tubimeve kanë brohoritur slogane si: “Lironi çunat”, “Tradhtarë, këlyshë komunistësh”, “Polici e krimit” dhe “O Erion o legen, prite Ramën se po vjen”. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë; krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor; ndryshime kushtetuese, përfshirë reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate; shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe kuadrin ligjor për investimet strategjike; si dhe hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, në konsultim me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe emigrantëve të marrin pjesë masivisht në protestë, duke e cilësuar praninë e tyre si vendimtare.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit