Sot shpallet fituesi për drejtor të BKH

Sot shpallet fituesi për drejtor të BKH

Pas tetë muaj verifikimesh, SPAK duket se është në finalizimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Emri i përzgjedhur për drejtuesin e FBI-së shqiptare do të bëhet publik ditën e sotme dhe më pas drejtuesi i SPAK do t’ia përcjellë atë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të vendosur me votim për kandidatin e propozuar.

Komisioni ku marrin pjesë edhe ekspertë të huaj do të mblidhet në orën 14:00. I gjithë procesi ka patur një rrugë të gjatë verifikimesh.

Listat e kandidatëve që aplikuan u filtruan disa herë për të mbërritur në fund me katër kandidatë, të cilët janë Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj, të katërt me formim policor.

Pasi të emërohet Drejtori i BKH, SPAK do të nisë procesin për përzgjedhjen e 60 hetuesve të kësaj strukture.

Kandidatët që aspirojnë të bëhen pjesë e BKH-së do të plotësojnë një formular aplikimi online dhe do ti nënshtrohen një sërë provimesh, përfshirë edhe testimin e gjendjes fizike dhe testin e poligrafit.

Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. Struktura ka një ngjashmëri me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Për këtë arsye hetuesit dhe drejtuesi i BKH-së do të trajnohen për tre muaj në akademinë e FBI-së në Virxhinia.

BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI-së.

Drejtorit dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe për t’u siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit