Sot u hap aeroporti i Vlorës, por askush s’i kujtoi ata që babëzia e Pacollit vrau

Sot u hap aeroporti i Vlorës, por…

Sot u inaugurua me bujë Aeroporti i Vlorës, në një ceremoni ku morën pjesë kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës Balluku dhe sipërmarrësi që ndërtoi këtë aeroport, Begjet Pacolli.

Në prag të zgjedhjeve, vetëm tri ditë përpara votimit, kjo ngjarje u përdor si një skenë e madhe për të dhënë mesazhin e zakonshëm: “Kryeministri punon.” E gjithë kjo shfaqje mediatike më shumë dukej si një përpjekje për të ngopur ekranet dhe për të ushqyer perceptimin se gjithçka është në rrugën e duhur.

Por, më tronditëse se propaganda politike ishte hipokrizia e vetë Pacollit. Në fjalimin e tij, ai e përshkroi aeroportin si një vepër madhështore, të paprecedent në Shqipëri. Ajo që harroi të përmendë, ishte se kjo vepër “madhështore” është ndërtuar mbi sakrificën ekstreme të punëtorëve që punuan në kushte çnjerëzore.

Në janar të këtij viti humbi jetën 60-vjeçari Nurset Xhoka nga Dibra, i cili u shtyp nga një fadromë. Më pas, një tjetër viktimë, 38-vjeçari Dorian Hasani, humbi jetën pasi ra nga një lartësi gjatë punës në këtë kantier. As kompania ndërtuese, as policia, as prokuroria nuk reaguan. Heshtja u ble me para. Dhe kur paraja vret ndërgjegjen, gjaku i pafajshmëve bëhet ujë.

Pacolli nuk përmendi as edhe një herë të vetme ata që humbën jetën duke ndërtuar këtë aeroport. Ata shkuan në punë për të fituar bukën e gojës, por u ndeshën me babëzinë për pushtet dhe para një babëzi që i la pa emër, pa përkujtim, pa drejtësi.

Nurset Xhoka dhe Dorian Hasani ishin viktima të një sistemi që trajton jetën si shifër në buxhet. Kushtet në të cilat ata punuan s’i ndryshonin nga një burg diktature  pa ndriçim, pa një tualet për nevojat personale, pa siguri, pa mbrojtje minimale për jetën.

Sot aeroporti u hap mes duartrokitjesh, por askush nuk përmendi dy jetët që u shuan gjatë ndërtimit të tij. Nuk pati një minutë heshtje, as një përkujtimore, as një fjalë nderimi. Ata që dhanë jetën për këtë vepër u lanë në harresë. Dhe kjo nuk është thjesht mungesë kujtese është një akt i heshtur mosmirënjohjeje që rëndon më shumë se çdo propagandë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit