SPAK dërgon në gjykim Erion Isain dhe 11 zyrtarë të tjerë

SPAK dërgon në gjykim Erion Isain dhe…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai së bashku me 11 zyrtarë të tjerë për shkelje në tendera publikë. Akuzat kryesore ndaj tij janë për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, të kryera në bashkëpunim. Hetimet kanë zbuluar shkelje në tenderin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me vlerë rreth 2.88 miliardë lekë. Në këtë procedim janë përfshirë ish-zyrtarë të ARRSH-së, punonjës të bashkisë dhe përfaqësues të një kompanie private.

SPAK pretendon se dokumentacioni projektues i paraqitur nga Bashkia Kolonjë nuk ka ekzistuar realisht dhe janë konstatuar elementë të falsifikimit të dokumenteve. Gjithashtu, fondi limit i tenderit është përcaktuar në kundërshtim me ligjin, duke u bazuar në të dhëna të siguruara nga vetë kompania që më vonë përfitoi kontratën. Nga ekspertimet rezulton se fondi limit është fryrë me rreth 590 milionë lekë, shumë e konsideruar si dëm ekonomik ndaj shtetit. Ky veprim ka cenuar konkurrencën dhe barazinë në proçedurat e prokurimit publik.

Në një tjetër procedurë për supervizimin e punimeve të rrugës Korçë-Ersekë, SPAK pretendon se anëtarë të komisionit të vlerësimit kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme shoqërinë “A&E Engineering”. Po ashtu, lidhur me tenderin për mbikëqyrjen e ujësjellësit të Ersekës, Isai dhe vartësit e tij akuzohen se kanë hartuar dokumente dhe kritere në kundërshtim me ligjin për të favorizuar të njëjtën kompani. Specifikimet teknike dhe kriteret e tenderit janë përgatitur duke u bazuar në oferta të hartuara nga vetë kompania fituese. Me këto akuza, SPAK ka kërkuar gjykimin e 12 të pandehurve për veprat penale përkatëse.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit