SPAK godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës, 20 masa sigurie dhe pasuri të sekuestruara me vlerë mbi 128 milionë euro

SPAK godet një rrjet ndërkombëtar të trafikut…

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, duke lëshuar 20 masa sigurie dhe duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 128.4 milionë euro.

Sipas SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 15 shtetas dhe “Arrest në shtëpi” për 5 të tjerë, të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Operacioni është ekzekutuar këtë të premte nga Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa deri tani janë ekzekutuar katër masa sigurie. Ndërkohë vijojnë kërkimet për personat e tjerë të shpallur në kërkim. Një prej tyre është arrestuar nga autoritetet greke.

Sipas hetimeve, personat nën hetim dyshohet se kanë organizuar trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, përmes porteve kryesore të Belgjikës, Spanjës dhe Holandës. Struktura kriminale dyshohet se merrej me furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa vende europiane.

Një nga episodet kryesore të dokumentuara nga hetimi lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës. Autoritetet kanë evidentuar gjithashtu sekuestrime të tjera të sasive të konsiderueshme të kokainës në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

SPAK bën me dije se hetimi është mbështetur në analizën e komunikimeve të siguruara nga platforma SKY ECC, përgjime telefonike, dokumentacion financiar dhe bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare.

Paralelisht me hetimin për trafikun e drogës, janë dokumentuar dyshime për pastrim parash përmes investimeve në prona, projekte ndërtimi dhe kompani tregtare në Shqipëri.

Si rezultat, Gjykata ka vendosur sekuestro preventive mbi dhjetëra prona, vila luksoze në Green Coast dhe Rolling Hills, apartamente, truall, hotele, automjete luksoze, mjete lundruese, 336 llogari bankare dhe disa kompani tregtare.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara llogaritet në mbi 128.4 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit