SPAK godet Vetingun, pas Luan Dacit rrezikohet edhe Ardian Hajdari për mashtrim

SPAK godet Vetingun, pas Luan Dacit rrezikohet…

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e Vetingut, po merr një goditje fatale nga Prokuroria e Posaçme. SPAK njoftoi dje se ka marrë të pandehur anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Dacin, pasi ka mashtruar për të shkuarën e tij, duke falsifikuar dokumentet, për t’u zgjedhur në shkallën e dytë të Vetingut.

Sipas SPAK, Luan Daci ka gënjyer për një shkarkim nga detyra si i paaftë në vitin 1997. “Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve″.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.54, datë 20.05.2020 ka vendosur ndaj shtetasit Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, thotë SPAK.

Por, pas Luan Dacit, rrezikohet edhe një anëtar tjetër i Kolegjit të Apelimit, Ardian Hajdari. Ky i fundit është kallëzuar në SPAK penalisht nga ish-prokurori Besnik Cani për manipulimin e mesatares së notave, me qëllim për të plotësuar kriteret ligjore për t’u zgjedhur në KPA. Cani kallëzoi edhe Luan Dacin, i cili është marrë i pandehur. Që të dy, Daci dhe Hajdari ishin pjesë e trupit gjykues në Kolegj që shkarkoi Canin. Ky i fundit pretendon se Hajdari nuk plotësonte kriteret ligjore për t’u zgjedhur në KPA. Cani ka depozituar një kallëzim penal për Ardian Hajdarin në SPAK, duke e akuzuar për falsifikim dokumentesh, pasi ka ndryshuar mesataren e notave.

Deri më sot, SPAK nuk ka dalë me një njoftim për Ardian Hajdarin. Por nëse SPAK merr në ditët në vijim të pandehur Ardian Hajdarin ashtu si Luan Dacin, Kolegji i Vetingut merr një goditje shumë të rëndë. Në një situatë të tillë Kolegji do të mbetej me vetëm 5 anëtarë. Por, goditja më e madhe ndaj Kolegjit është morale. /Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit