SPAK i sekuestroi pasuritë, kush është “Peshkaqeni” shqiptar i drogës

SPAK i sekuestroi pasuritë, kush është “Peshkaqeni”…

Me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut, si dhe të personave të lidhur me ta.

Princ Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë.

Dhjetë llogari bankare, apartamente dhe makina, SPAK sekuestron pasuritë e dy trafikantëve
Gjatë vitit 2020, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani. Princ Dobroshi, njihet ndryshe me nofkën “Peshkaqeni”, dhe akuzohet se është një nga bosët më të mëdhenj të drogës. Princ Dobroshi njihet ndërkombëtarisht si njëri nga personat me veprimtari të dyshuar kriminale. Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.

59-vjeçari nga Peja e nisi ‘karrierën’ e tij në fund të viteve ’80 në Gjermani, ku do të dilte si shumë të rinj të tjerë nga Kosova. Megjithatë, besohet se aktivitetet kriminale në trafikun e drogës dhe siç dyshohet edhe armëve, do t’i niste në fillim të viteve ’90.

Sipas mediave në Kosovë, Dobroshi në vendlindjen e tij ka të regjistruara tri objekte banimi me vlerat si në vijim: 150 mijë euro, 45 dhe 13,965 euro. “Peshkaqeni” në të njëjtën komunë ka të regjistruara edhe pesë parcela bujqësore në Vitomericë dhe një parcelë pyjore në Brestovik të Pejës. Ndërkaq, në Prishtinë ka të regjistruara tri shtëpi në vlerat si vijojnë: 121,440 euro, 121 mijë dhe 4,224 euro.

I kërkuari nga autoritetet ndërkombëtare ka të regjistruar edhe një parcelë në Miradi të Epërme në Fushë Kosovë. “Peshkaqeni” kishte edhe një biznes aktiv të regjistruar deri më 9 qershor 2022 me emrin “Princi D SH.P.K.” me kapital të regjistruar 5.000 euro dhe 100% për qindje të aksioneve. Në bazë të përshkrimit të biznesit, aktiviteti kryesor i biznesit ishte rikuperimi i materialeve të klasifikuara. Ndërkaq, aktivitetet e tjera përfshinin tregtinë me shumicë të kafes, çajit, kakaos dhe erëzave, tregtinë me shumicë të tekstileve, tregtinë me shumicë të mbeturinave dhe hekurishteve dhe tregtinë me shumicë jo të specializuar. Ndër pasuritë që iu sekuestruan “peshkaqenit” janë dhjetra llogari bankare, me vlerë totale 133 mijë euro, disa apartamente në Durrës, Tiranë, por edhe makina dhe një shoqëri tregtare në Lezhë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit