SPAK jep pretencën për korrupsionin e Bashkisë Bulqizë

SPAK jep pretencën për korrupsionin e Bashkisë…

Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion ka përfunduar hetimet për ish-kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla dhe punonjësit e tjerë të bashkisë, të arrestuar për aferë e një tenderi me vlerë afro 2.8 milionë euro, që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen më të vjetër të qytetit.

Në përfundim SPAK ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Lefter Allën, i cili nga gjykimi i shkurtuar do të vuajë vetëm 2 vite e 4 muaj si dhe një dënim plotësues për të mos ushtruar asnjë funksion publik për 5 vite.

Për Enkeleda Lleshin ish-zëvendëskryetaren e bashkisë është kërkuar dënimi me 3 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi ulet në 2 vite burg, dhe dënim plotësues heqjen e të drejtës së të ushtruarit funksion publik për 5 vite.

Për anëtarët e Njësisë së Prokurimit e të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Arsen Gjoka, Rubin Kola dhe Kujtim Zogu është kërkuar nga 2 vite burgim. Nga gjykimi i shkurtuar ata përfitojnë ulje të dënimit në 1 vit e 4 muaj dhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike.

Për Leonard Daçin, SPAK ka kërkuar 2 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi është reduktuar në 1 vit e 4 muaj dhe 5 vite moslejimi i ushtrimit të asnjë funksioni publik.

Biznesmeni Aqif Konesha që përfitoi tenderin është dënuar me 2 vite e 3 muaj burg, që nga gjykimi i shkurtuar janë reduktuar në 1 vit e 6 muaj heqje lirie, dhe 3 vite mos ushtrojë administratorin e personit juridik.

Për këtë tender në pranga përfunduan 13 zyrtarë të bashkisë mes tyre kryebashkiaku Lefter Alla dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi. Personat e tjerë të arrestua janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku si dhe biznesmeni Aqif Konesha.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit