Me urdhër të SPAK, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në vilën e biznesmenit shqiptaro-amerikan-izraelit Ron Yeffet, pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen dyshime për trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë. Sipas burimeve, kontrollet në banesën e Yeffet vijojnë, ndërsa GJKKO ka miratuar edhe kërkesën e SPAK për kontroll personal të biznesmenit.
Kontrolle janë kryer edhe në ambiente të tjera, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, ku sipas burimeve janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktikat e tenderëve. Në kuadër të hetimit është përfshirë edhe kompania TIMAK, ndërsa në audiopërgjimet e publikuara përmenden Yeffet dhe dy persona të identifikuar si Igor dhe Sergei, si dhe kompanitë KAYO dhe TIMAK.
Sipas materialeve të publikuara, bisedat përfshijnë dyshime për një skemë të mundshme të trafikut të armëve e municioneve të prodhuara në Afrikë, me përpunim ose paketim të mundshëm në Shqipëri. Në audiopërgjime përmenden gjithashtu projekte energjetike në Delvinë dhe Vlorë, ndërsa TIMAK, ku Yeffet zotëron 49% dhe Arjeta Puca 51%, ka hyrë në partneritet me ndërmarrjen shtetërore ushtarake KAYO, përmes TIMAK Defence.