Ilir Beqajt pritet t’i shtohen të tjera akuza në procesin e tij të gjykimit. Ish-ministri i Shëndetësisë po hetohet për aferën e “Sterilizimit” por bashkangjitur mund të përfshihet edhe akuza për favorizime të pandershme në tendera. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, shoqëruar nga disa punonjës policie, kanë hyrë pasditen e kësaj të enjteje në zyrat e kompanisë farmaceutike “Delta Pharma”, në Kashar të Tiranës. Pikë referimi për kontrollet ka qenë edhe kompania ‘Avicena’ dhe rrjeti i farmacive “Ditë e Natë”, që janë pjesë e kompanisë mëmë, Delta Pharma.
Mësohet se SPAK po heton kontratën e ‘Delta Pharma’ lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me 150 milionë lekë medikamente. Një pistë tjetër hetimi është se ky kontroll vjen në kuadër të hetimit pasuror që po kryhet për ish-ministrin Ilir Beqaj. Koncesioni i ‘Check-up’-it është një tjetër pikë hetimi që mund të hapet, shqëruar me atë të “Sterilizimit”. Nuk përjashtohet as mundësia që Beqaj të jetë aksioner “i fshehur” i kompanisë “Delta Pharma” duke ngritur dyshime se ka ngritur një kompani personale gjatë kohës që mbante postin e ministrit, e duke e favorizuar në aktivitetin e saj.
Të gjitha këto pikpyetje priten të zbardhen nga SPAK, prokurorët e së cilit fillimisht kanë kërkuar detyrim paraqitje për Beqajn dhe sekuestrimin e pasaportës. Nëse vërtetohet se Beqja ka qenë edhe biznesmen gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, masa ndaj tij do të rëndohej në “arrest shtëpie” apo “arrest me burg”.
Shumë politikanë qenkan pasuruar vetë apo kanë pasuruar miqtë e tyre, gjatë kohës që shqiptarët prisnin që Shqipëria të bëhej si gjithë Europa, e sot shohim që Shqipëria po kthehet si Ruanda, e destinuar për të qenë azil i refuqatëve nga vendet e Lindjes së Mesme, e duke larguar pjesën më të madhe të popullësisë në emigrim.