Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur dyshime të reja për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi një vilë të ndodhur në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, pasuri që sipas SPAK rezulton në pronësi indirekte të Ballukut.
Sipas organit të akuzës, dyshohet se pasuria është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik gjatë një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol.
SPAK bën me dije se hetimet lidhen me tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me një fond limit prej mbi 88 milionë lekësh, si dhe me një shtesë kontrate me vlerë mbi 14 milionë lekë pa TVSH.
Sipas dosjes hetimore, Balluku, në kohën kur drejtonte Albcontrol, dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, duke krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k.
Prokuroria pretendon se në këmbim të këtij favorizimi është përfituar një vilë në kompleksin “White Rocks”, me vlerë rreth 145 mijë euro. Pasuria e sekuestruar është një vilë dykatëshe e tipit “Begonia”, me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë rreth 300 metra katrorë.
Sipas SPAK, për të fshehur pronësinë reale të pasurisë janë përdorur kontrata dhe veprime juridike që dyshohen si fiktive, ndërsa hetimet kanë evidentuar edhe transaksione dhe dokumentacion që po verifikohet nga prokurorët.
Belinda Balluku aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa hetimet e reja synojnë të përcaktojnë nëse ekzistojnë elementë të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.
SPAK thekson se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.