SPAK nis hetimin për tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë

SPAK nis hetimin për tenderat e Ministrisë…

Prokuroria e Posaçme antikorrupsion ka marrë sot në dorëzim dosjet e tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë, që janë zhvilluar gjatë periudhës së pandemisë.
Këto dosje janë ndarë në katër vëllime, mbi të cilat SPAK do të hetojë pas akuzave të opozitës për vjedhje dhe manipulime.
Materialet e përcjella janë fotokopje e dokumenteve të prokurimeve. Dokumentet u dorëzuan me anë të postës ditën e premte nga dikasteri i Shëndetësisë, ndërsa organi i hetimit sot i mori në dorë. Të njëjtat burime tregojnë se tenderat do të hetohen nga prokurori Klodian Braho. Ditën e premte SPAK i dërgoi letrën e dytë Ministrisë së Shëndetësisë ku i kërkoi që të dorëzojë dokumentat e tenderave. Prej më shumë se 10 ditësh, SPAK nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga ky dikaster, ndaj u ridërgua një shkresë e dytë ku u kërkua informacion mbi tenderët, numrin e tyre si dhe shumat përkatëse.
Partia Demokratike ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se ka djegur dokumente shtetërore për të fshehur aferat korruptive të këtyre tenderave. Sipas opozitës, dokumentet janë djegur në katin e katërt të ministrisë, por këto akuza u hodhën poshtë nga ministrja Manastirliu.
Tashmë tenderat ndodhen në duart e prokurorit Braho ui cili pritet që të thërras për të dëshmuar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë
E njëjta procedurë është ndjekur edhe me ministrinë e Mbrojtjes për tenderin e ushqimeve, që po hetohet nga prokurori Eneid Nakuçi, i cili ka marrë 6 zyrtarë në pyetje.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit