SPAK zbardh skemën e grupit të "Rrumit": Si u përvetësuan me dokumente të falsifikuara rreth 688 mijë m² tokë shtetërore

SPAK zbardh skemën e grupit të “Rrumit”:…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur detaje nga hetimi ndaj grupit të njohur si ai i “Rrumit”, duke dokumentuar një skemë të sofistikuar falsifikimi dokumentesh, përmes së cilës dyshohet se janë përvetësuar dhe më pas janë shitur tek investitorë sipërfaqe të mëdha toke shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një sipërfaqe totale prej 687,798 metrash katrorë, e shtrirë në zonat e Lalëzit, Kepit të Rodonit, Shetajt, Bizës dhe Shijakut. Në regjistrat zyrtarë këto prona figuronin si “Rrugë”, “Pyll” dhe “Pa frut”, por përmes zëvendësimit të fletëve të regjistrimit në arkivë ato janë kthyer në kategori “Arë”, duke u tjetërsuar më pas në mënyrë të paligjshme.

Sipas SPAK, skema funksiononte përmes një sërë falsifikimesh të koordinuara. Fillimisht ndryshoheshin pjesërisht Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), duke shtuar parcela të reja bujqësore. Më pas depozitoheshin në ish-ZVRPP dokumente tërësisht të falsifikuara, përfshirë shkresa përcjellëse që paraqiteshin sikur ishin lëshuar nga Komisioni i Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës, si edhe akte verifikimi të falsifikuara.

Hetimi ka evidentuar gjithashtu se janë siguruar certifikata pronësie, ku në disa raste janë përdorur vula origjinale, në raste të tjera vetëm vula, ndërsa në të tjera si vulat ashtu edhe nënshkrimet kanë rezultuar të falsifikuara. Po ashtu janë prodhuar harta regjistrimi dhe referenca tërësisht të falsifikuara, të pajisura me numra fiktivë ose të dubluar, për të krijuar pamjen e një procedure të ligjshme.

Sipas dosjes, referencat shoqëroheshin me dokumente që paraqiteshin si urdhra për rivlerësim të pasurive, por që rezultuan të falsifikuara si në vulë ashtu edhe në nënshkrim. Këto dokumente përdoreshin për të justifikuar regjistrimet e mëvonshme, ndërsa dokumenti i vetëm origjinal në të gjithë procedurën ishte kontrata e shitjes së pronës.

Një tjetër mekanizëm i përdorur ishte ndërhyrja në regjistrat kadastralë. Sipas SPAK, janë zhdukur fletët origjinale ku ishin regjistruar prona të kategorive “Rrugë”, “Pyll” dhe “Pa frut”, të cilat janë zëvendësuar me fletë të reja ku figuronin prona bujqësore të kategorisë “Arë”, me sipërfaqe nga 10 mijë deri në 34 mijë metra katrorë, kryesisht në zonat bregdetare të Lalëzit, Bizës dhe Shetajt.

Hetimi ka zbuluar edhe një skemë tjetër, që lidhet me falsifikimin e regjistrave të viteve 1929-1957, të administruar në arkivat e ish-ZVRPP-së dhe Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës. Sipas SPAK, regjistrat janë siguruar nga një person me akses në arkivat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, i identifikuar vetëm me emrin “Mozi”, i cili dyshohet se është korruptuar së bashku me punonjës të arkivës.

Më pas, sipas akuzës, janë fshirë pjesërisht ose plotësisht shënimet ekzistuese në regjistra dhe janë rishkruar të dhëna të reja, duke kaluar pronat në emër të personave të besuar, të cilët më pas paraqiteshin si trashëgimtarë të ligjshëm. Dokumentet e falsifikuara janë përdorur më tej për aplikime pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohje, kompensim ose kthim fizik të pronave, si edhe për ngritjen e padive civile me qëllim regjistrimin e tyre.

Sipas SPAK, faza përfundimtare e skemës ishte shitja e këtyre pronave tek investitorë të interesuar për zhvillim në zonat bregdetare të Durrësit.

Hetimet kanë arritur në përfundimin se, përmes këtij mekanizmi, të pandehurit Aleksandër Laho, Vullnet Muça, Agron Bejdolli dhe Vlash Brahja, duke paraqitur fakte të rreme dhe duke fshehur të vërtetën në dokumentacionin e regjistrimit dhe tjetërsimit të pronave, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha toke shtetërore.

Sipas SPAK, si rezultat i kësaj skeme, shteti është privuar në mënyrë të paligjshme nga pronësia e të paktën 687,798 metrave katrorë tokë në një nga zonat më të lakmuara bregdetare të vendit. Një pjesë e këtyre pronave është shitur tek persona të tretë, ndërsa hetimi ka provuar se vepra penale e mashtrimit është kryer në më shumë se një rast, çka ka sjellë ngritjen e akuzave përkatëse ndaj të pandehurve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit