Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK, ku atij dhe Erald Elezit u është komunikuar zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Në këtë çështje e pandehur është edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Sipas përllogaritjeve, afati i ri i hetimeve do të zgjasë deri më 10 tetor. Gjyli mbërriti në Prokurorinë e Posaçme i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gentian Gjyli akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera. SPAK vijon hetimet për të gjithë të pandehurit në dosje, ndërsa zgjatja e afatit synon plotësimin e veprimeve hetimore për një nga çështjet më të rëndësishme që lidhet me investimet në infrastrukturën rrugore.