SPAKU që duhet të hetojë tenderat, i jep 40 milionë pa konkurrencë Grigor Jotit

SPAKU që duhet të hetojë tenderat, i…

Jo miq, nuk është meme. Është plotësisht një ngjarje e vërtetë, nga ato që të bëjnë të kapësh kokën me duar, të shkulësh flokët dhe të bërtasësh duke vrapuar rreth e përqark Tiranës. SPAK, apo ndryshe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është institucioni që ndër të tjera duhet të hetojë edhe parregullsitë e tenderave. Mirëpo rezulton në fakt se një gallatë e madhe ka ndodhur. Vetë ky institucion ka organizuar një tender dhe ka shpallur fituese kompaninë e Grigor Jotit, pa konkurrencë dhe në një tender tepër të dyshimtë.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-56809-04-24-2020 dhe me objekt “Blerje materiale për funksionimin e paisjeve të zyrës (Tonera) për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Fondi limit i tij është 3,498,605 lekë të reja pa TVSH ose rreth 41 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke hulumtuar dokumentacionin e këtij tenderi vihet re se në të kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, të cilat kanë lidhje me të njëjtin person, Grigor Joti.

Bëhet fjalë për “Infosoft Office” me ofertë 2,737,106 lekë të reja me TVSH dhe IT Gjegji Kompjuter me ofertë 3.283.922 lekë të reja pa TVSH. Të dyja këto kompani kanë lidhje me Grigor Jotin. Gallatë apo jo? Sa për kronikë, fituese është shpallur firma IT Gjergji Kompjuter me ofertën prej 3,283,922 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 40 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Sigurisht kjo vlerë është thuajse identike edhe me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 93.86% e tij. Ky është një ndër tenderat më tipikisht i dyshimtë i cili më së paku duhet të hetohet nga SPAK. Por ka një problem, vetë SPAK e ka dhënë këtë tender. Po në këtë rast, kush e heton SPAK-un?

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit