Spanja është shpallur kampione e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë, falë golit vendimtar të Ferran Torres në minutën e 106-të të finales së zhvilluar në një atmosferë elektrizuese.
Finalja ishte një dominim pothuajse i plotë i iberikëve. Që nga minuta e parë, Spanja kontrolloi lojën, mbajti topin dhe krijoi një mori rastesh me Lamine Yamal, Dani Olmo, Ferran Torres, Pedri, Nico Williams, Laporte dhe Pau Cubarsí. Megjithatë, Emiliano Martínez zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të karrierës së tij, duke realizuar pritje spektakolare njëra pas tjetrës dhe duke mbajtur Argjentinën në lojë.
Nga ana tjetër, Argjentina zgjodhi një qasje krejtësisht mbrojtëse. Gjatë 90 minutave të rregullta nuk arriti të regjistrojë asnjë goditje drejt portës së Unai Simón, duke u përqendruar vetëm te mbrojtja e rezultatit dhe shpresa për ta zgjidhur finalen me penallti.
Situata u vështirësua edhe më shumë për kampionët në fuqi në minutën e 93-të, kur Enzo Fernández u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e Lionel Scalonit me 10 futbollistë për gjithë kohën shtesë.
Edhe në 15-minutëshin e parë shtesë, Spanja vazhdoi të sulmonte pa pushim. Nico Williams pati një gol të anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it, ndërsa Mikel Merino humbi një mundësi të artë me kokë. Argjentinasit vazhdonin të mbroheshin me sakrificë, ndërsa Emiliano Martínez vijonte të ishte muri i pakalueshëm.
Momenti vendimtar erdhi vetëm 37 sekonda pas fillimit të pjesës së dytë të shtesës. Pedro Porro harkoi në zonë, Nico Williams e devijoi topin me kokë dhe Ferran Torres u gjend në vendin e duhur për ta dërguar me të majtën në rrjetë, duke shpërthyer festën spanjolle dhe duke realizuar golin që vendosi fatin e Kupës së Botës.
Në minutat e mbetura Argjentina u detyrua të dilte përpara dhe vetëm atëherë krijoi rastet e para të rrezikshme të gjithë finales. Messi provoi me një goditje nga distanca që u bllokua, ndërsa në minutat e fundit Giuliano Simeone humbi dy mundësi shumë të mira për të barazuar, duke dërguar fillimisht një top mbi traversë dhe më pas duke mos arritur të shfrytëzonte një krosim të rrezikshëm në zonë.
Vërshëllima e fundit e arbitrit konfirmoi triumfin e Spanjës, e cila pas një finaleje të dominuar nga fillimi në fund ngre për herë të dytë në histori Kupën e Botës. Për Argjentinën, pavarësisht heroizmave të Emiliano Martínez, strategjia ultra-mbrojtëse nuk mjaftoi për të mbrojtur titullin botëror.