Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar ndaj zërave të ditëve të fundit që flisnin për pakënaqësi të saj brenda Partisë Socialiste dhe për raportet me kryeministrin Edi Rama, duke dhënë një mesazh të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga PS.
Në hyrje të Kuvendit, Spiropali u pyet nga gazetarët nëse kishte zhvilluar bisedime me Ramën lidhur me qëndrimet e saj të fundit, si edhe nëse mund të ndiqte të njëjtën rrugë si deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste.
Në përgjigjen e saj, Spiropali theksoi se prioritet mbetet puna për vendin dhe hodhi poshtë çdo aludim për largimin e saj nga PS.
“Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jenë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e kanë bërë historikisht, e kanë bërë edhe sot. Ata që i kanë sjellë dëme PS-së, le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, tha Spiropali.
E pyetur edhe për mundësinë e një bashkëpunimi me Ditmir Bushatin, deputetja u shpreh se në Partinë Socialiste duhet të kontribuojnë ata që synojnë një Shqipëri më të mirë dhe që, sipas saj, kanë dhënë kontribut për këtë ndër vite.