
Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit çdo ditë e më shumë po kthehet në një ferr të vërtetë për ata që po e përjetojnë këtë luftë.
Shërbimet mjekësore në të gjithë Rripin e Gazës janë goditur nga sulmet ajrore të pandërprera izraelite pranë spitaleve.
Palestinezët që u larguan nga shtëpitë e tyre, janë mbledhur në Spitalin Al-Quds pas sulmeve ajrore izraelite në lagjen Tal al-Hawa të qytetit të Gazës më 31 tetor 2023.
Spitali Al-Quds në qytetin e Gazës ka mbyllur “shumicën e operacioneve” pasi i ka mbaruar karburanti dhe ka përballuar bombardimet e përditshme izraelite rreth kompleksit mjekësor që nga e diela.
Spitali, i vendosur në lagjen Tal al-Hawa dhe i drejtuar nga Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS), tha se ishte i detyruar të ndalonte shumicën e shërbimeve “për të racionalizuar përdorimin e karburantit dhe për të siguruar një nivel minimal shërbimesh në ditët në vijim”.
Spitali ka fikur gjeneratorin e tij kryesor dhe tani po funksionon vetëm një gjenerator më të vogël për të ofruar shërbime thelbësore dhe dy orë energji elektrike në ditë për pacientët dhe 14,000 persona të zhvendosur brenda vendit që janë strehuar atje. Reparti i tij kirurgjikal dhe aparaturat për prodhimin e oksigjenit janë mbyllur.
Zëdhënësja e PRCS Nebal Farsakh tha për Al Jazeera se bombardinet kanë shkuar deri 15 metra nga spitali dhe kanë frikë se mund të preken nga goditjet me predha.
“Po flasim për bombardimet rreth 15 metra larg ndërtesës së spitalit. Shumica e ndërtesave përreth [spitalit] janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Bombardimet po i afrohen gjithnjë e më shumë spitalit dhe kemi frikë nga një goditje e drejtpërdrejtë në spital”, tha ajo.
Gjithashtu zëdhënësja e gjysmë hënës së kuqe se situata në qendrën spitalore është tepër e rënduar.
“Ne kemi rreth 500 pacientë brenda spitalit. Kemi 15 pacientë në gjende të rëndë. Ata janë të plagosur dhe me respiratorë. Kemi të porsalindur në inkubatorë. Kemi 14,000 njerëz të zhvendosur, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë,” tha Farsakh.
Izraeli vendosi një rrethim total në Gaza dy ditë pas fillimit të luftës më 7 tetor, duke forcuar bllokadën ekzistuese që ka qenë në vend që nga viti 2007 dhe duke kufizuar ashpër hyrjen e ndihmave, ushqimit, ujit, energjisë elektrike dhe karburantit.