“S’po arrij dot ta lë”, 18-vjeçari nga Tirana kërkon ndihmë për varësinë nga droga

“S’po arrij dot ta lë”, 18-vjeçari nga…

Një mesazh i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre një shqetësim serioz për përhapjen e varësisë nga droga tek të rinjtë dhe vështirësinë për të dalë prej saj.

Një 18-vjeçar nga Laknasi i Tiranës i është drejtuar redaksisë sonë për të rrëfyer se prej rreth tre vitesh përdor kokainë çdo ditë dhe se tashmë përdorimi i saj është kthyer në një varësi për të.

Ai tregon se përdorimi është bërë pjesë e përditshmërisë së tij, deri në atë pikë sa e ka të vështirë të qëndrojë për disa orë pa konsumuar. Sipas rrëfimit të tij, gjatë këtyre viteve ka shpenzuar shuma shumë të mëdha parash për drogën, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të parave e ka humbur edhe në bixhoz.

Por ajo që e bën këtë denoncim ndryshe është fakti se 18-vjeçari nuk shkruan për t’u mburrur me atë që ka bërë. Ai kërkon ndihmë.

“Desha të dija mendimin e ndonjërit. Në qoftë se ka ndonjë ide për të më ndihmuar që ta lë drogën, nëse dini diçka ose edhe ju vetë në qoftë se ka ndonjë gjë që mundeni të më ndihmoni”, shkruan ai.

Ai kërkon që historia e tij të publikohet edhe për të parë reagimin e njerëzve, duke shprehur bindjen se nuk është i vetmi i ri në Shqipëri që po përballet me një problem të tillë.

Ky rrëfim nuk duhet parë si një mundësi për ta gjykuar apo ofenduar. Përkundrazi, fakti që një 18-vjeçar pranon publikisht se ka humbur kontrollin dhe kërkon ndihmë është një hap që duhet marrë seriozisht.

Varësia nuk zgjidhet me turpërim apo me këshilla të thjeshta. Ajo kërkon mbështetje, trajtim dhe ndihmë profesionale. Ministria e Shëndetësisë liston shërbime dhe institucione për trajtimin e varësive, përfshirë shërbimet e adiktologjisë dhe toksikologjisë klinike.

Ndoshta pas këtij rrëfimi fshihen edhe shumë të rinj të tjerë që nuk kanë guximin të flasin.

Prandaj, në vend të gjykimit, le ta kthejmë këtë histori në një thirrje për ndihmë: Nëse dikush po kalon të njëjtën situatë, le të tregojë ku ka gjetur ndihmë dhe çfarë e ka ndihmuar të nisë rrugën drejt daljes nga varësia.

Ky 18-vjeçar nuk po kërkon duartrokitje për atë që ka bërë. Po kërkon një rrugëdalje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit