
“Sportistët mbështeten nëpërmjet shpërblimeve dinjitoze”, kështu u shpreh nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ministrja Manastirliu. Kjo e fundit shpalli me krenari trefishimin e buxhetit për sportin, shpërblime dinjitoze për elitarë dhe investime që e kanë kthyer Shqipërinë në një fuqi sportive. Në këtë panoramë suksesi me fjalë të trumbetuar nga ministrja, mungon një detaj i vogël, por i rëndësishëm, sportistët nuk janë paguar prej muajsh.
“Buxheti për sportin është rritur mbi 3 herë. Kemi bërë investime reale. Vijojmë të zhvillojmë sportin, për të krijuar mundësinë sportit për të gjithë dhe masivizimit të tij. Kemi mundësuar që sportistëve elitarë t’i mbështesim nëpërmjet shpërblimeve dinjitoze”, kështu u shpreh ministrja Manastrliu nga foltorja e Kuvendit.
Ndërkohë që fjalimet janë bërë kampionë të padiskutueshëm, sportistët ende po presin pagat e tyre. Sportistët e “Studentit” janë pa paga prej 5 muajsh, volejbollistët e Teutës janë 3 muaj pa rrogë, sportistët që përfaqësojnë ekipet nën varësi të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk kanë marrë pagat e tyre prej 1 viti, ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu vijon të mbajë fjalime larg realitetit të sportit shqiptar, ku sportistët janë në pritje të rrogave.
Ndërsa ministrja e arsimit flet për mbështetje dhe zhvillim të qëndrueshëm, sportistët llogarisin ditët pa rrogë dhe seancat stërvitore me barkun bosh. Në Shqipërinë sportive, rrjedh para nga Kuvendi, por nuk shkon asnjë lekë në xhepat e atyre që bëjnë krenar vendin tonë nëpër procese sportive të ndryshme. Ministrja foli për shpërblime dinjitoze, por denoncimet nga sportistë të shumtë që ankohen se nuk kanë marrë pagat e nxjerrin zbuluar fjalimin e Manastirliut.