Një sportist i Klubit Shumësportësh “Partizani”, në varësi të Bashkisë Tiranë, ka ngritur shqetësimin për mospagesën e plotë të trajtimit ushqimor që, sipas tij, i takon në bazë të kuadrit ligjor në fuqi.
Sipas denoncimit, në muajin prill 2026 Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimin e skemës së mbështetjes financiare për sportistët elitarë, duke rritur masën e trajtimit ushqimor ditor nga 3,500 lekë në 5,000 lekë, për 25 ditë në muaj, me efekte financiare nga prilli 2026.
Megjithatë, sportisti thotë se, pavarësisht vijimit të stërvitjeve, aktivitetit sportiv dhe përfaqësimit të klubit, deri në momentin e paraqitjes së ankesës nuk ka marrë pagesën në masën e përcaktuar.
“Kam muaj që nuk më paguhet trajtimi ushqimor i plotë”, shprehet sportisti, i cili kërkon që situata të marrë një përgjigje institucionale.
Në ankesë ngrihet edhe pyetja se ku qëndron pengesa për realizimin e pagesave. Nëse problemi lidhet me mosparashikimin apo mosçeljen e fondeve nga Bashkia Tiranë, sportisti kërkon që kjo rrethanë të bëhet e ditur zyrtarisht.
Nga ana tjetër, nëse fondet janë parashikuar dhe/ose transferuar për Klubin Shumësportësh “Partizani”, kërkohet verifikimi i destinacionit të tyre, mënyrës së administrimit dhe përgjegjësisë për moskalimin e pagesave te sportistët përfitues.
Sportisti thekson se nuk duhet të mbajë pasojat financiare të vonesave apo mosmarrëveshjeve administrative ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe strukturave drejtuese të klubit.
Ai kërkon në thelb transparencë mbi fondet e parashikuara për trajtimin ushqimor dhe një sqarim të menjëhershëm mbi arsyet e vonesës së pagesave për sportistët.