Stalla me 50 lopë pranë banesave në Spitallë, banorët: Na mbyti era e plehut çdo ditë

Stalla me 50 lopë pranë banesave në…

Banorët e Lagjes 15 në Spitallë kanë ngritur shqetësimin për një stallë bagëtish që ndodhet shumë pranë banesave në rrugën “Leon Rey”.

Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, në stallë mbahen rreth 50 lopë, ndërsa prania e saj në një zonë të banuar po shkakton probleme të vazhdueshme për familjet përreth.

Qytetari që ka kontaktuar redaksinë thotë se era e rëndë, mbetjet e kafshëve, papastërtitë dhe insektet janë bërë një problem serioz, veçanërisht gjatë periudhave kur stalla pastrohet dhe plehu largohet nga ambientet.

Sipas tij, banesa e tij ndodhet ngjitur me stallën dhe distanca e vogël e bën situatën edhe më shqetësuese.

E kam ngjitur me shtëpinë. Po të ngre tel nga muri, i kap të gjitha. Kur hapet dhe pastrohet stalla, sidomos kur hiqet plehu, era është e tmerrshme”, shprehet banori.

Ai thotë se problemi nuk është i ri dhe se banorët kanë kërkuar disa herë ndërhyrjen e institucioneve. Sipas tij, kontrolle janë kryer herë pas here, por situata nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.

Ua kemi thënë kushedi sa herë, por nuk e vret mendjen njeri”, shprehet ai, duke kërkuar që problematika të trajtohet seriozisht.

Shqetësimi kryesor i familjeve të zonës lidhet me kushtet higjieno-sanitare dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme, prandaj banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt, të verifikojnë situatën në terren dhe të marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit