“S’të pëlqen? Ik, ka të tjerë”, i riu denoncon kushtet e punëtorëve sezonalë

“S’të pëlqen? Ik, ka të tjerë”, i…

Një denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një i ri, i cili thotë se prej rreth 5 vitesh punon kryesisht në sektorin sezonal, veçanërisht në kuzhinë, dhe ka vendosur të flasë për atë që e konsideron një realitet të përhapur në industrinë e turizmit.

Sipas tij, për vite me radhë ka punuar me orare jashtëzakonisht të zgjatura, madje në raste të caktuara thotë se puna ka vijuar deri në 20 orë pa ndërprerje. Ai tregon se për një kohë të gjatë e ka konsideruar këtë si pjesë të profesionit, duke menduar se “kështu është sezoni”.

Por, sipas tij, pas kësaj fraze fshihen problematika që prekin shumë punëtorë në restorante, hotele, beach bar-e dhe biznese të tjera turistike.

Në denoncimin e tij ai rendit orare të zgjatura, mungesë ditësh pushimi, orë shtesë të papaguara, deklarime që nuk përputhen me orët reale të punës dhe frikën e punonjësve për të kërkuar të drejtat, për shkak të përgjigjes që, sipas tij, dëgjohet shpesh: “Nëse nuk të pëlqen, ka të tjerë që presin për këtë punë.”

Një tjetër justifikim që, sipas të riut, përsëritet vazhdimisht është: “Është sezon, vetëm 3 muaj janë.”

Por pikërisht këtu ai ngre pyetjen: a mund të përdoret sezoni si justifikim për të tejkaluar të drejtat e punëtorëve?

“Ne nuk po kërkojmë të mos punojmë. Po kërkojmë të paguhemi dhe të trajtohemi sipas ligjit”, shprehet i riu në denoncimin e tij.

Ai kërkon gjithashtu më shumë kontrolle gjatë sezonit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si verifikohen orët reale të punës, pagesat, sigurimet, orët shtesë dhe pushimet e punonjësve.

Denoncuesi thekson se nuk po flet vetëm për veten, por për kuzhinierë, kamarierë, banakierë, pastrues, recepsionistë dhe punonjës të tjerë që, sipas tij, mbajnë mbi shpinë një pjesë të rëndësishme të industrisë turistike shqiptare.

Sezoni mund të zgjasë tre muaj, por të drejtat e punëtorit nuk duhet të zgjasin vetëm tre muaj.

JOQ Albania publikon denoncimin për të sjellë në vëmendje një problematikë të ngritur nga një punëtor me eksperiencë disa vjeçare në sektorin sezonal dhe për të nxitur një reagim nga institucionet përgjegjëse.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit