Strehimi i afganëve/ Xhaçka i pret me natë në Rinas së bashku me Yuri Kim: Ndihem krenare

Strehimi i afganëve/ Xhaçka i pret me…

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e shoqëruar dhe prej ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim pritën në orët e para të mëngjesit të sotëm kontigjentin e parë prej 121 shtetasish afganë, të cilët u ulën në Rinas.

Xhaçka në fjalën e saj u shpreh se ishte detyrim i Shqipërisë që këta aleatë të mos braktiseshin në mëshirën e talebanëve.

“Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mikpritjen dhe besën tradicionale të shqiptarëve, këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talebanëve, por të bënim çfarë mundeshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se ky është një moment vërtetë emocionues dhe se ndihet krenare për solidaritetin dhe mikpritjen e treguar në këto momente.

Ajo bëri me dije gjithashtu dhe numrin e plotë të afganëve që pritet të mbërrijë në vendin tonë, duke rikonfirmuar shifrën prej 4000 personash që kryeministri Rama zbuloi në intervistën për CNN pajk ditë më parë.

“Unë ndihem vërtet krenare sot, dhe çdo qytetar shqiptar duhet të ndihet vërtet krenar sot, që edhe njëherë, ashtu siç kemi bërë në kushedi sa raste në historinë tonë, shqiptarët po tregojnë atë që është shpirti i vërtet i këtij populli, solidaritetin, mikpritjen, bujarinë. Dhe kur sheh një shfaqje të tillë solidariteti, kur sheh sesi Shqipëria që nuk është një vend i pasur, që nuk është një vend me mundësi të mëdha materiale apo logjistike, e kupton që nuk është një rastësi që pikërisht në Shqipëri pati më shumë hebrenj pas lufte sesa para lufte, apo që shqiptarët pavarësisht kushteve ekonomike vetëm 2 vjet pas vitit të mbrapshtë 1997, arritën të strehonin gjysmë milioni vëllezër e motra kosovare që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës e krimeve të një tjetër regjimi terrorist e vrastar.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara. Kemi bërë gjithçka, që t’i mirëpresim e t’u ofrojmë kushte sa më të mira e sa më dinjitoze jetese. Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e QS”, përfundoi Xhaçka.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit