Stresi nga nxehtësia, shqiptarët më të cenuarit nga ndryshimet klimaterike

Stresi nga nxehtësia, shqiptarët më të cenuarit…

Rreziqet klimatike po godasin drejtpërdrejt tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, me Shqipërinë që vlerësohet si vendi më i prekur në rajon. Sipas një raporti të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), temperaturat në rritje dhe reduktimi i reshjeve kanë filluar të ndikojnë ndjeshëm tek punëtorët, të ardhurat e tyre dhe produktiviteti i përgjithshëm.

ILO parashikon se deri në vitin 2030, Shqipëria do të humbasë 0.07% të orëve vjetore të punës, një nivel i krahasueshëm me rreth 700 vende pune me kohë të plotë. Stresi nga nxehtësia pritet të ketë ndikimin më të madh, duke shkaktuar sëmundje, rritje të mungesave në punë dhe ulje të rendimentit në sektorët më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

“Temperaturat ekstreme jo vetëm që kufizojnë kapacitetin fizik të punëtorëve, por rrisin edhe rrezikun e aksidenteve, sidomos gjatë ditëve të para në punë”, thuhet në raport.

Ky fenomen nuk është i panjohur për rajonin. Gjatë përmbytjeve të mëdha në vitin 2014, ndikimi i fatkeqësive natyrore solli humbje të mëdha në tregun e punës: 33,500 vende pune u humbën në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa 51,800 vende pune u pezulluan përkohësisht në Serbi, si pasojë e dëmtimeve në infrastrukturë dhe ekonomi.

ILO nënvizon se nevojitet ndërhyrje urgjente për të përshtatur politikat e punës me realitetin e ri klimatik, duke garantuar kushte më të sigurta për punëtorët dhe duke investuar në sektorë më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve të motit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit