Edhe protesta kombëtare e së shtunës dhe tubimi i djeshëm u shoqëruan me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ndërkohë, në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur kamera me rezolucion të lartë, të cilat, sipas raportimeve, mundësojnë monitorimin e turmës dhe identifikimin e personave të pranishëm në protestë. Ky zhvillim vjen në një klimë të acaruar politike, ku protestuesit vijojnë të kundërshtojnë qeverinë dhe mënyrën e reagimit të institucioneve ndaj tubimeve.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ku u hodhën gurë drejt godinës, përpara se të marshonin drejt Kryeministrisë. Atje, protestuesit thyen dhe dogjën karriget e vendosura si simbol i ftesës së Ramës për dialog, ndërsa pati incidente edhe pranë Kryesisë së Kuvendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa pas ndërhyrjes pati përplasje edhe mes efektivëve dhe gazetarëve të pranishëm në bulevard.