Deputetët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët marshuan nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar protestës së studentëve, u pritën me kundërshtim nga të rinjtë që kishin organizuar një tubim të veçantë.
Studentët e mbledhur në hyrje të Rrugës së Durrësit reaguan ndaj mbërritjes së përfaqësuesve dhe mbështetësve të opozitës, duke brohoritur “Rama në burg, Berisha në burg”. Me këto thirrje, të rinjtë shprehën kundërshtimin ndaj përfshirjes së militantëve të PD-së në protestën e tyre, duke bërë të qartë se tubimi i tyre ishte i ndarë nga ai i organizuar nga opozita.
Protestat e kësaj të shtune në Tiranë nisën me tubimin e Partisë Demokratike. Deputetët dhe mbështetësit e saj u mblodhën fillimisht përpara selisë së partisë dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Gjatë qëndrimit përpara godinës së qeverisë, disa protestues u vunë flakën ulëseve që kryeministri Edi Rama kishte vendosur për dialog. Pranë zjarrit, një i moshuar u pa duke kërcyer.
Pas rreth një ore përpara Kryeministrisë, protestuesit e PD-së u nisën drejt Ministrisë së Arsimit, ku studentët kishin njoftuar zhvillimin e një proteste të veçantë në orën 14:00.
Por mbërritja e tyre nuk u prit si një bashkim mes protestuesve. Të rinjtë reaguan me thirrje kundër të dy drejtuesve politikë, Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke sinjalizuar se nuk dëshironin që protesta e tyre të përfshihej në tubimin e opozitës.
Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” u kthyen kështu në mesazhin e kundërshtimit të studentëve, të cilët zgjodhën të mbanin distancë nga tubimi i PD-së dhe të shprehnin pakënaqësinë ndaj të dy figurave politike.