
Studentët në Serbi kanë paralajmëruar se, nëse Qeveria nuk shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare deri më 28 qershor, ata dhe qytetarët e pakënaqur do të ndërmarrin forma të ndryshme të mosbindjes civile. Kjo datë përkon me Vidovdanin, një ditë me rëndësi historike për serbët, dhe në këtë ditë pritet të mbahet një protestë e madhe në Beograd. Studentët kërkojnë gjithashtu që të ndërpritet protesta paralele e një grupi kundërshtar në qendër të Beogradit, i cili është në mbështetje të qeverisë dhe kundërshton bllokadat studentore.
Protestat studentore kanë nisur në fund të nëntorit 2024, pas një aksidenti tragjik në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Që nga ajo kohë, universitetet publike në mbarë vendin janë bllokuar si formë proteste ndaj qeverisë. Studentët kanë artikuluar disa kërkesa kryesore, përfshirë transparencën në rindërtimin e stacionit, ndjekjen penale të dhunuesve të protestuesve, lirimin e aktivistëve të arrestuar dhe rritjen e buxhetit për arsimin e lartë.
Përmes një letre të hapur, studentët i kanë kërkuar Qeverisë së Serbisë që t’i propozojë presidentit shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se mandati aktual nuk reflekton më realitetin politik në vend. Ata i bënë thirrje gjithashtu Ministrisë së Brendshme që të ndalojë protestën kundërshtare deri më 28 qershor, për të shmangur përplasje mes kampeve të ndryshme. Studentët paralajmëruan se pas protestës së planifikuar nuk mund të kontrollojnë më reagimin e qytetarëve, nëse nuk merren masa për të përmbushur kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër, qeveria aktuale, e udhëhequr nga Gjuro Macut dhe Partia Përparimtare Serbe, thotë se synon unitetin dhe funksionimin normal të shoqërisë. Megjithatë, protestuesit e konsiderojnë këtë qeveri të delegjitimuar nga krizat e fundit dhe theksojnë se nuk ka alternativë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Mbështetje për kërkesat e studentëve kanë dhënë edhe shumica e partive opozitare, ndërsa presidenti Vuçiq ka deklaruar se do të veprojë në përputhje me nevojat e vendit dhe situatën politike.