Studentët rikthehen në auditorë, vijon protesta në disa fakultete me thirrjet për bojkot të mësimit

Studentët rikthehen në auditorë, vijon protesta në…

Studentët janë rikthyer këtë të hënë në auditorë, pas thirrjeve të pedagogëve gjatë fundjavës për rifillimin e procesit mësimor. Më herët, në disa fakultete ishin shpërndarë mesazhe për studentët, ku u bëhej me dije se nuk do të penalizoheshin me mungesa në rast se vijonin bojkotin e mësimit në kuadër të protestave.

Në Tiranë, auditorët janë mbushur sërish me studentë dhe mësimi po zhvillohet normalisht në disa prej fakulteteve, përfshirë Fakultetin e Ekonomisë, atë të Historisë dhe Filologjisë, si dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Megjithatë, një grup studentësh ka vijuar protestën, duke marshuar nga një universitet në tjetrin dhe duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të ndërpresin mësimin e t’u bashkohen. Protestuesit u ndalën fillimisht në Universitetin Politeknik, më pas në zonën e Bllokut, në galerinë FAB të Universitetit të Arteve dhe në Fakultetin e Drejtësisë, me thirrjet “Bojkotoni mësimin” dhe “Bashkohuni me ne”.

Ndërkohë, edhe në rrethe situata është normalizuar, pasi mësimi ka rinisur në universitetet ku ishte regjistruar bojkot i pjesshëm, në Elbasan dhe Korçë. Në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, vendimi për rikthimin në auditorë ishte marrë të premten nga Këshilli Studentor, me argumentin se situata e protestave ishte qetësuar edhe në kryeqytet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit