Studenti: Me Ramën nuk ka dialog, s'mund të dialogosh me një dhunues fëmijësh!

Studenti: Me Ramën nuk ka dialog, s’mund…

Studenti protestues Visar Martinaj ka folur për dhjetë ditët e fundit të protestave kundër qeverisë, duke denoncuar dhunën policore ndaj të rinjve dhe gjimnazistëve, si dhe duke shpjeguar arsyet që, sipas tij, e kanë çuar revoltën në këtë pikë.

I ftuar në News24, Martinaj tha se, pavarësisht lodhjes fizike dhe psikologjike pas ditëve të gjata në rrugë, studentët kanë vijuar të protestojnë, ndërsa kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij ndaj të rinjve dhe përdorimin e forcës nga policia.

“Dhjetë ditët e fundit kanë qenë shumë intensive, si për ne, ashtu edhe për regjimin e Edi Ramës. Aq intensive sa ka pasur ditë kur kemi qenë aq të lodhur, sa mezi ngriheshim në këmbë dhe prapë kemi shkuar në protestë që të rezistojmë sa më shumë. Ditët e fundit studentët janë trembur pak nga dhuna e tepruar që Edi Rama po bën këto ditë me urdhrat e tij”, u shpreh ai.

Sipas Martinajt, përshkallëzimi i protestave nuk ishte i papritur, pasi të rinjtë kanë protestuar për muaj me radhë pa marrë, sipas tij, përgjigje konkrete për kërkesat e tyre. Ai akuzoi kryeministrin se në vend të reflektimit ka zgjedhur talljet dhe ofendimet.

“Problemi është se Edi Rama na ka etiketuar dhe ofenduar me fjalë të ndryshme. Ne jemi munduar gjithë këto ditë, por që nga 31 maji kemi pritur komente tallëse nga kryeministri. Dhjetë ditët e fundit nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse efektet anësore të protestës së madhe. Ishte më se e pritshme që do të arrihej në këtë revoltë, sepse nëse unë protestoj 140 ditë dhe e vetmja përgjigje që marr nga kryeministri janë komentet ofenduese në rrjetet sociale, atëherë kjo situatë ishte e pashmangshme”, deklaroi studenti.

Martinaj u ndal edhe te komunikimi i qeverisë me brezin e ri, duke pretenduar se propaganda e kryeministrit nuk ka arritur të ndikojë te studentët, të cilët, sipas tij, janë më aktivë dhe të informuar përmes rrjeteve sociale.

“Propaganda e tij nuk ka funksionuar sepse jemi brez i ri. I vetmi target audience që ai ka kapur janë besnikët e partisë dhe moshat shumë të mëdha, ndoshta. Te brezi ynë kjo nuk funksionon. Në rrjetet sociale i dominojmë”, tha ai.

Një nga akuzat më të rënda të studentit lidhet me përdorimin e plumbave të gomës gjatë përplasjeve të fundit. Martinaj pretendoi se ato janë përdorur në mënyrë të tepruar dhe se plagët e shkaktuara te protestuesit janë të rënda.

“Plumbat e gomës ditët e fundit janë përdorur pa asnjë kursim. Plagët e tyre duken si plumba gjuetie që përdoren për kafshë. Pamjet janë makabre në ekstrem”, u shpreh ai.

Duke iu referuar protestës kombëtare të thirrur për të shtunën, më 24 tetor, Martinaj tha se pjesëmarrja nuk pritet të kufizohet vetëm te studentët, por të përfshijë edhe familjarët e tyre dhe qytetarë nga rrethet.

“Të shtunën është thirrur protesta kombëtare, por nuk janë të ftuar vetëm studentët. Presim të vijnë masivisht studentë nga rrethet, por ata mund të vijnë edhe me familjarët e tyre”, deklaroi Martinaj.

Në fund, studenti përjashtoi mundësinë e dialogut me kryeministrin, duke theksuar se protesta, sipas tij, shkon përtej përkatësive partiake dhe lidhet me të ardhmen e vendit.

“Me Ramën nuk ka dialog. Nuk mund të dialogosh me një dhunues fëmijësh. Rama ka 13 vite që mundohet të hedhë ligje antishqiptare. Protesta është më e madhe se thjesht regjimi. Protesta ka të bëjë me ekzistencën tonë si popull, jo me parti”, përfundoi ai.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit