Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në Francë, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia Adam, e cila goditi jugun e vendit të martën, duke shkaktuar dëme të shumta dhe ndërprerje të transportit.
Mes viktimave janë dy gra, përkatësisht 86 dhe 26 vjeçe, të cilat u gjetën të mbytura në një bodrum në rajonin e Bouches-du-Rhône. Ndërkohë, moti i përkeqësuar goditi edhe ishullin e Korsikës, ku një automjet fuoristradë u mor nga rrjedha e ujërave të përmbytjes. Njëri prej pasagjerëve arriti të dilte përmes dritares, ndërsa një burrë tjetër u gjet i pajetë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme për viktimën e katërt.
Situata paraqitet e vështirë edhe në qytetet Mouriès dhe Saint-Martin-de-Crau, mes Montpellier dhe Marseille, ku dhjetëra banorë u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre dhe të strehoheshin në qendra emergjence. Në këtë zonë raportohet gjithashtu për një person të plagosur.
Përmbytjet kanë mbuluar rrugë dhe kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen, ndërsa pasojat e stuhisë kanë vënë në vështirësi disa zona të jugut të Francës.