Stuhia godet Shqipërinë: Dëme në disa qytete, të plagosur dhe ndërprerje energjie

Stuhia godet Shqipërinë: Dëme në disa qytete,…

Moti i keq që përfshiu mbrëmjen e së martës pjesën më të madhe të vendit shkaktoi dëme në disa qytete, duke i dhënë fund ditëve me temperatura të larta. Reshjet intensive të shiut, erërat e forta dhe shkarkesat elektrike krijuan probleme në infrastrukturë dhe në furnizimin me energji elektrike.

Saranda rezultoi qyteti më i goditur nga stuhia. Gjatë natës, erërat e fuqishme rrëzuan disa pemë, të cilat bllokuan akset rrugore dhe dëmtuan automjete të parkuara. Si pasojë e thyerjes së xhamave, tre persona mbetën të plagosur. Ata u transportuan në spital, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Edhe Vlora u përball me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe aktivitet të lartë elektrik në atmosferë, ndërsa moti i paqëndrueshëm shkaktoi vështirësi në disa zona të qytetit.

Probleme u regjistruan edhe në qarkun e Kukësit, ku erërat e forta dëmtuan rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, kryesisht në Bashkinë Has. Sipas OSHEE Kukës, fshati Nikoliq dhe Njësia Administrative Fajzë mbetën pa energji pasi një lis u rrëzua mbi linjën e tensionit të mesëm. Në disa zona u dëmtuan edhe shtylla të rrjetit elektrik, duke vështirësuar rikthimin e furnizimit.

Meteorologët kishin paralajmëruar më herët për kalimin e një sistemi të fuqishëm stuhish mbi Ballkanin Perëndimor. Sipas parashikimeve, Shqipëria ishte përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, me mundësi për reshje intensive, erëra të forta, shkarkesa elektrike dhe, në zona të izoluara, edhe breshër.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit